Fjala e PLOTË/ Veliaj në seancën kundër Dados: Ka një palë që do errësirë dhe një palë që do dritë

Seanca në administrative për Erion Veliaj u vendos që të mbahej e mbyllur. Pas ndërprerjes së transmetimit live, tashmë seanca ka vijuar me dyer të mbyllura.
Gjatë fjalës së tij Erion Veliaj ka thënë se kërkon transparencë.
Fjala e plotë e Erion Veliajt në seancën në Administrative ndaj Ols Dados
I nderuar z. Gjyqtar,
Kam më shumë se pesëmbëdhjetë muaj që jetoj në një realitet që, deri pak kohë më parë, do ta konsideroja të paimagjinueshëm në një republikë demokratike. Një realitet ku raporti midis qytetarit dhe pushtetit penal është përmbysur gradualisht, deri në pikën që vetë garancitë kushtetuese duken çdo ditë e më të brishta përballë forcës së pakontrolluar të këtij autoriteti shtetëror. Është një situatë me një ngarkesë të tillë paradoksale, sa mund të përshkruhet më saktë vetëm nga një penë si e Dostojevskit dhe jo nga një gjuhë e zakonshme si e imja.
Prej më shumë se dy vitesh, menjëherë pas zgjedhjes sime për herë të tretë si Kryetar i Bashkisë së Tiranës, jam vënë përballë një sulmi frontal, disproporcional dhe të pandalshëm politik, mediatik dhe juridik; një përplasje që, në përfundim të saj, arriti deri në heqjen e lirisë sime personale dhe në pamundësimin e ushtrimit të mandatit që ma besuan 160 mijë qytetarë të Tiranës. Madje, edhe pasi fitova formalisht mandatin tim në Gjykatën Kushtetuese, pas një përpjekjeje tjetër për ta shfuqizuar atë, unë vijoj të mbahem me këmbëngulje në paraburgim dhe izolim, ndërkohë që vetë ligjshmëria e burimit të atij pushteti penal ndodhet sot përpara kësaj gjykate për shqyrtim.
Është kontrolluar çdo aspekt i jetës sime. Është hetuar çdo dimension personal dhe familjar i imi. Mbi mua dhe familjen time është ushtruar, në thelb, një formë e plotë “vetingu” jo administrativ, por penal, jashtë çdo standardi normal proporcionaliteti. E megjithatë, gjatë gjithë kësaj kohe, unë kam bashkëpunuar me drejtësinë në çdo moment. Kam kontribuar për të lehtësuar punën e saj. Nuk kam pasur asnjë hezitim, asnjë drojë dhe asnjë mëdyshje për t’u përballur me procesin dhe me të vërtetën as dje, as sot.
Dhe pikërisht këtu fillon paradoksi i vërtetë i kësaj çështjeje.
Sepse për më shumë se dy vite u përdor çdo mekanizëm i mundshëm politik, mediatik dhe juridik për të më sjellë përpara drejtësisë, në mënyrën më denigruese të mundshme, për një njeri që akoma mban besimin e një qyteti të tërë për drejtimin e tij. U përdorën hetime, përgjime, kontrolle, ekspozim publik dhe çdo formë tjetër e ushtrimit të pushtetit penal, me argumentin se unë duhej të vihesha përballë drejtësisë.
Sot që unë ndodhem përpara drejtësisë, me vullnetin e plotë për t’u përballur me të, paradoksi është se i njëjti mekanizëm duket se nuk do më një përballje reale me drejtësinë, por një përballje të kufizuar, të kontrolluar, të shpejt dhe proceduralisht të cunguar. Sepse nuk kërkohet vetëm kufizimi i lirisë sime fizike. Kërkohet edhe kufizimi i mundësisë sime për t’u mbrojtur efektivisht e përballur me dinjitet.
Mua nuk më lejohet të kem akses të plotë dhe real në dosje. Nuk më lejohet të dëgjoj të gjitha përgjimet e kryera ndaj meje. Nuk më lejohet komunikimi me avokatët e mi ndërkombëtarë. Nuk më lejohet të informoj opinionin publik shqiptar dhe ndërkombëtar mbi natyrën reale të kësaj çështjeje. Sigurisht, nuk më lejohet as ushtrimi i mandatit që qytetarët e Tiranës më kanë besuar.
Pra, ndërsa mbi mua ushtrohet çdo kufizim që mund t’i ushtrohet një qytetari, njëkohësisht bëhet gjithçka që unë të mos mund të ushtroj në mënyrë efektive ato të drejta që vetë Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë m’i garanton. Dhe sa herë që përpiqem të ushtroj një prej këtyre të drejtave, krijohen pengesa të reja proceduriale, të cilat jo vetëm e bëjnë ushtrimin e tyre gjithnjë e më të vështirë, por përdoren më pas edhe kundër meje, për të justifikuar cenime të mëtejshme të lirisë sime personale.
Vetë ky gjykim, ku ndodhemi sot, është një tjetër provë e këtij paradoksi absurd.
Sepse edhe sot pala përballë, në thelb, nuk kërkon që gjykata të shqyrtojë pretendimin tim në themel. Kërkon që gjykata të mos hyjë fare në themelin e çështjes. Kërkon që Ju, zoti Gjyqtar, të mos shqyrtoni ligjshmërinë e pushtetit që është ushtruar mbi mua dhe mbi institucionin që unë përfaqësoj. Dhe kjo është ajo që e bën këtë çështje shumë më të rëndë sesa një debat procedural. Sepse në thelb të pretendimit që paraqitet përpara Jush qëndron ideja se unë nuk paskam të drejtë t’i kërkoj gjykatës kontrollin e ligjshmërisë së autoritetit që më hoqi lirinë personale; të autoritetit që më vendosi në përgjim; që kontrolloi jetën time private dhe të familjarëve të mi; të autoritetit që hyri në çdo dimension të jetës sime personale dhe institucionale.
Pra, pushteti mund të hyjë në çdo qoshe të jetës së qytetarit, por qytetari nuk paska të drejtë të pyesë: “Me çfarë legjitimiteti po ushtrohet ky pushtet mbi mua?”. Pra, pushteti mund të ndërhyjë mbi mandatin e një kryetari bashkie edhe në kundërshtim me kufijtë që vendos vetë ligji, por kryetari i zgjedhur nuk paska të drejtë të pyes: “Me çfarë legjitimiteti po ushtrohet ky pushtet mbi bashkinë dhe mbi këtë qytet”?
Dhe pikërisht këtu qëndron absurdi më i madh i kësaj çështjeje.
Unë kam bërë një padi përpara Jush. Një padi që nuk është asgjë tjetër veçse ushtrimi i një të drejte që njerëzimi e ka njohur që në lindjen e qytetërimit; nga kodet e Hamurabit deri te Kanuni i Lekë Dukagjinit: e drejta e njeriut për t’iu drejtuar një gjykimi të paanshëm dhe për të kërkuar drejtësi.
As këtë nuk duan të ma lejojnë.
Si i padituri Dado, ashtu edhe vetë KLP, autoriteti që duhej të kishte garantuar ligjshmërinë e ushtrimit të këtij funksioni publik, sot pretendojnë se unë nuk legjitimohem t’i drejtohem gjykatës për të kërkuar kontrollin e këtij autoriteti. Sepse sipas kësaj logjike, qytetari mund të hetohet, të survejohet, të arrestohet, të izolohet dhe të kontrollohet në çdo aspekt të jetës së tij personale, familjare dhe publike; një kryetari bashkie mund t’i ndërpritet ushtrimi i mandatit të dhënë nga qytetarët; qytetarëve mund t’u merret nga zyra kryetari i zgjedhur prej tyre, por në momentin që ata i drejtohen gjykatës për të kërkuar verifikimin e ligjshmërisë së autoritetit që ushtron këtë pushtet, atëherë ai nuk konsiderohet më subjekt i mbrojtjes së ligjit, por rrezik për drejtësinë vetë.
Pra, qytetari mund t’i japë drejtësisë shpatën e pushtetit për të vepruar në emër të tij, por nuk paska të drejtë të pyesë se kush po e mban atë shpatë, me çfarë legjitimiteti e mban dhe në emër të kujt po e përdor kundër tij.
Benjamin Cardozo, një nga figurat më të ndriçuese të Gjykatës Supreme amerikane, paralajmëronte se drejtësia humbet kuptimin e saj në momentin kur garancitë proceduriale reduktohen deri në pikën që qytetari mbetet i pambrojtur përballë pushtetit.
Dhe pikërisht këtu lind pyetja thelbësore e kësaj çështjeje.
Kush mund të legjitimohet më shumë për të kërkuar kontrollin e ligjshmërisë së këtij autoriteti sesa vetë qytetari, liritë dhe të drejtat themelore të të cilit janë cenuar drejtpërdrejtë nga ushtrimi i tij? Kush mund të legjitimohet më shumë sesa një individ, të cilit i është hequr liria personale, i është kontrolluar jeta private, i është ndërprerë ushtrimi i mandatit publik dhe ndaj të cilit është ushtruar forma më intensive e pushtetit penal të shtetit? Dhe po kështu, kush mund të legjitimohet më shumë sesa vetë Bashkia e Tiranës, institucionit të cilit iu ndërpre ushtrimi normal i mandatit të kryetarit të zgjedhur, si pasojë direkte e ushtrimit të këtij autoriteti?
Sepse në fund fare, pyetja bëhet akoma më e thjeshtë sesa gjithë ky proceduralizëm përpiqet ta paraqesë:
Çfarë duhet të ndodhë më shumë mbi një qytetar dhe mbi një institucion demokratik, që ata të kenë të drejtën t’i kërkojnë gjykatës verifikimin e ligjshmërisë së pushtetit që është ushtruar mbi ta.
Apo mos duhet që qytetari të heshtë fare?
A duhet të pranojë çdo ndërhyrje mbi jetën, lirinë dhe dinjitetin e tij, pa pasur të drejtën t’i kërkojë gjykatës kontrollin e ligjshmërisë së autoritetit që ushtron këtë pushtet mbi të? Sepse nëse kjo është logjika që pranohet, atëherë ne nuk kemi më një shtet të së drejtës. Atëherë kemi një pushtet penal që kërkon të qëndrojë jashtë kontrollit.
Ky pushtet i pakontrollueshëm nuk është drejtësi. Ai është arbitraritet.
Prandaj, i nderuar zoti Gjyqtar, në thelb të gjithë kësaj çështjeje qëndron një pyetje aq sa e thjeshtë, por dhe vendimtare.
A është Olsi Dado prokuror i Republikës së Shqipërisë? A i është dhënë atij, në mënyrë të kushtetuese, autoriteti për të ushtruar pushtet penal në emër të Republikës së Shqipërisë?
Kjo është pyetja që sot kërkon përgjigje nga Ju, i nderuar zoti Gjyqtar. Jo vetëm për mua. Jo vetëm për këtë qytet. Por për Republikën tonë.
E pra, unë jam sot këtu jo vetëm për të mbrojtur të drejtat që më burojnë si qytetar nga sovraniteti i popullit shqiptar dhe që janë skalitur në Kushtetutën e Republikës, por për të mbrojtur vetë parimin se në Republikën e Shqipërisë askush që ushtron autoritet penal mbi qytetarin nuk mund të qëndrojë mbi kontrollin e ligjit.
Sepse në ditën kur qytetari humbet të drejtën për t’i kërkuar gjykatës kontrollin mbi autoritetin që i ka cenuar lirinë, atë ditë nuk vihet në diskutim vetëm fati i një individi.
Ajo është dita kur fillon të vihet në diskutim vetë ideja republikane se ligji qëndron mbi pushtetin.
Dhe në momentin kur kjo ide rrëzohet…
rrëzohet vetë Republika.
Faleminderit!
Erion VELIAJ


