Helmimi i 52 studentëve të Akademisë së Sigurisë, AKU: Mostrat në kuzhina brenda normave, zhbllokohet aktiviteti i “SORI-AL”

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka bërë me dije rezultatet e hetimeve dhe verifikimeve të kryera pas rastit të dyshuar të helmimit të kursantëve në Akademinë e Sigurisë në Sauk.
Sipas njoftimit zyrtar, në kuadër të procedurave të ndjekura pas incidentit, janë marrë mostra për analizë të higjienës ambientale dhe pajisjeve të punës në kuzhinat e Akademisë së Sigurisë në Sauk, si dhe në kuzhinën e Garnizonit të Forcave të Armatosura në Tiranë.
Mostrat e analizuara pranë laboratorit të referencës ISUV kanë rezultuar brenda normave të lejuara për treguesit e higjienës, duke mos evidentuar probleme në këtë drejtim.
Pas këtyre rezultateve, AKU ka vijuar me inspektime në të dy institucionet, ndërsa në përfundim të procedurave ka vendosur zhbllokimin e aktivitetit të subjektit “SORI-AL”.
Gjithashtu, subjektit i është lënë detyrë që të kryejë analiza autokontrolli për produktin e gatshëm që shërbehet në ambientet e Garnizonit të Forcave të Armatosura, në përputhje me kërkesat ligjore në fuqi.
Njoftimi i AKU:
Në vijim të njoftimeve të kryera nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, në lidhje me ndjekjen e rastit të helmimit të kursantëve në Akademinë e Sigurisë në Sauk, bëjnë me dije se, AKU kreu procedurën e marrjes së mostrave për higjienën ambientale dhe të pajisjeve të punës brenda ambienteve të kuzhinës së Akademisë së Sigurisë, Sauk dhe brenda ambienteve të kuzhinës së Garnizonit, të Forcave te Armatosura.
Pas analizimit të tyre pranë laboratorit të Referencës ISUV , informojmë që kanë rezultuar brenda normave të lejuara për treguesit e higjienës.
Referuar këtyre raport- provave është kryer procedura e inspektimit në adresat brenda ambienteve të Akademisë së Sigurisë, Sauk, Tiranë dhe brenda ambienteve te Garnizonit, te Forcave te Armatosura, Tiranë.
Në përfundim të procedurës AKU kreu zhbllokimin e aktivitetit të subjektit SORI-AL, si dhe i la detyrë të kryejë analiza autokontrolli për produktin e gatshëm brenda ambienteve të Garnizonit të Forcave të Armatosura, në zbatim të kërkesave të legjislacionit në fuqi.


