Tentoi të përplasë policët me makinë, plagoset gjatë operacionit 23-vjeçari i shpallur në kërkim

Një operacion i Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale ka përfunduar me arrestimin e dy shtetasve në aksin rrugor “Mamurras–Laç”, pasi dyshohet se kundërshtuan me dhunë efektivët e Policisë dhe rrezikuan jetën e tyre.
Gjatë ndërhyrjes në një karburant në aksin “Mamurras–Laç”, i riu, që lëvizte me automjet së bashku me shtetasin A. F., 28 vjeç, ka tentuar të përplasë efektivët e Policisë. Ndërkohë, sipas autoriteteve, personi që e shoqëronte ka nxjerrë armë zjarri dhe ua ka drejtuar forcave operacionale.
Në kushtet e vetëmbrojtjes, Policia ka ndërhyrë duke neutralizuar 23-vjeçarin Leonard Dema, i cili mbeti i plagosur dhe u transportua në Spitalin e Traumës, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit, në pranga ra Leonard Dema, 23 vjeç, i lindur në Mamurras, i shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe i dënuar nga Gjykata e Trentos në Itali me 7 vite burg për tentativë vrasjeje.
Po ashtu, u arrestua në flagrancë edhe shtetasi A. F., ndërsa gjatë kontrollit u sekuestrua arma e zjarrit pistoletë që ai posedonte.
Hetimet për ngjarjen vijojnë në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP) dhe nën drejtimin e Prokurorisë.

