Kryepolici Hita porosi në Gjirokastër e Fier: Godisni krimin ndërkufitar dhe drogën, rrisni sigurinë rrugore dhe në shkolla!

Aktualitet

Kryepolici Hita porosi në Gjirokastër e Fier: Godisni krimin

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, zhvilloi këtë të martë takime në Drejtorinë Vendore të Policisë së Fierit, në Drejtorinë Vendore të Policisë së Gjirokastrës, si dhe në Drejtorinë Rajonale për Kufirin dhe Migracionin në Gjirokastër, ku kërkoi angazhim maksimal nga strukturat policore për forcimin e rendit dhe sigurisë publike.

Gjatë takimeve me efektivët, Hita kërkoi rritje të parametrave të sigurisë, parandalim të paligjshmërive dhe ndjekje në kohë reale të shqetësimeve të qytetarëve.

Ai vuri theksin te puna hetimore dhe operacionale për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, armëmbajtjes pa leje, ndërtimeve të paligjshme dhe krimeve mjedisore, si dhe për kapjen e personave në kërkim.

Një fokus të veçantë, drejtori i Policisë i kushtoi sigurisë në shkolla, duke kërkuar monitorim të shtuar deri në përfundim të vitit shkollor.

Sipas porosive të dhëna, agjentët e Policisë Kriminale dhe patrullat e rendit duhet të monitorojnë perimetrin e sigurisë pranë shkollave, me qëllim parandalimin e shpërndarjes së lëndëve narkotike dhe evidentimin e rasteve të drejtimit të automjeteve nga të rinjtë pa leje drejtimi.

Në kuadër të sezonit turistik, Hita kërkoi performancë, etikë në komunikim dhe reagim të shpejtë nga shërbimet policore për çdo problematikë që mund të shfaqet.

Ai kërkoi gjithashtu që çdo shqetësim i qytetarëve, pavarësisht rëndësisë së tij, të trajtohet me prioritet dhe profesionalizëm, duke vendosur theks të veçantë te rastet e dhunës në familje dhe konfliktet mes qytetarëve.

Sa i përket sigurisë rrugore, Drejtori i Përgjithshëm kërkoi monitorim me mjete moderne dhe ndalimin e praktikave të pajustifikuara të ndalimit të automjeteve në akset kombëtare.

Në zonat urbane, ai kërkoi masa të forta ndaj parkimeve të gabuara, zhurmave të shkaktuara nga marmitat e modifikuara, manovrave të rrezikshme në rrugë, drejtimit të mjeteve nën efektin e alkoolit dhe shkeljeve të tjera që rrezikojnë jetën e qytetarëve.

Gjatë takimit në Gjirokastër, Hita kërkoi gjithashtu forcimin e masave kundër krimeve ndërkufitare dhe rritjen e bashkëpunimit me autoritetet greke, si dhe shtimin e sporteleve për përballimin e fluksit të lëvizjeve në pikat kufitare.

ME TE LEXUARAT