Ish-ministri Beqaj reagon pas vendimit të GJKKO: Kafazi i sigurisë pengon mbrojtjen efektive, i akuzuari nuk është spektator që qëndron pas xhamit

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Posaçme (GJKKO) që ai të mos qëndrojë në “kafazin e sigurisë” gjatë seancave gjyqësore që po zhvillohen ndaj tij për çështjen e koncesionit të “Sterilizimit”.
Beqaj e ka cilësuar vendimin si të drejtë dhe me rëndësi që, sipas tij, shkon përtej interesit personal, duke rikujtuar parimet bazë të procesit të rregullt ligjor.
Ai thekson se autoriteti vendimmarrës në sallën e gjyqit duhet të jetë vetëm gjykata, ndërsa strukturat e sigurisë kanë detyrë thjesht zbatimin e vendimeve të saj. Sipas tij, siguria në gjykatë është e domosdoshme, por nuk mund të përdoret si arsye automatike për të kufizuar të drejtën e mbrojtjes apo komunikimin me avokatin.
Beqaj argumenton se qëndrimi në “kafaz sigurie” e vështirëson mbrojtjen efektive, pasi pengon komunikimin e drejtpërdrejtë dhe konfidencial me avokatin gjatë seancës, duke krijuar barriera fizike dhe procedurale.
Ai shton se në një proces penal, i pandehuri nuk është thjesht spektator, por subjekt aktiv që duhet të ketë mundësi të dëgjojë, të kuptojë dhe të reagojë në mënyrë të plotë gjatë gjykimit.
Në deklaratën e tij, Beqaj ngre gjithashtu shqetësimin për parimin e “barazisë së armëve”, duke argumentuar se çdo kufizim që pengon komunikimin e lirë mes të pandehurit dhe mbrojtjes mund të cenojë këtë parim.
Në përfundim, ai e konsideron vendimin e gjykatës si një hap në drejtim të respektimit të standardeve të procesit të rregullt ligjor dhe thekson se masat e sigurisë duhet të jenë gjithmonë proporcionale dhe të motivuara.


