Vrasja e shqiptarit në Greqi/ 42-vjeçari u qëllua me plumb në kokë në vendin ku punonte, dyshime për konflikt me pronarin

Bota

Vrasja e shqiptarit në Greqi/ 42-vjeçari u qëllua me plumb

Detaje të reja kanë dalë nga ngjarja e rëndë në Greqi, ku një 42-vjeçar emigrant shqiptar është gjetur i pajetë pasditen e sotme brenda një stalle në zonën Burnia të Kalamatës, duke vënë në lëvizje autoritetet policore dhe shërbimet e emergjencës.

Sipas mediave greke, viktima dyshohet se është qëlluar me armë zjarri në kokë. Deri në këtë fazë të hetimeve, arma e krimit nuk është gjetur, ndërsa policia po vijon kontrollet në zonën përreth dhe mbledhjen e provave materiale.

Trupi i pajetë është zbuluar nga një tjetër shtetas shqiptar, i cili po qëndronte në të njëjtën banesë me viktimën. Ai ka njoftuar menjëherë autoritetet, të cilat kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë nisur procedurat hetimore.

Burime paraprake bëjnë me dije se viktima dyshohet të ketë pasur më herët një konflikt me pronarin e stallës ku punonte, por ende nuk është konfirmuar nëse ky konflikt lidhet drejtpërdrejt me ngjarjen.

Autoritetet greke po hetojnë disa pista për të zbardhur rrethanat e plota të vrasjes, ndërsa pritet marrja në pyetje e personave që mund të kenë dijeni mbi ngjarjen.

ME TE LEXUARAT