"Ligji detyron tre, por tregu ka vetëm një muaj rezerva nafte”

Aktualitet

"Ligji detyron tre, por tregu ka vetëm një muaj rezerva

Një nisëm ligjore e depozituar në tetor të vitit 2025, mbi rezervat e sigurisë së naftës është një direktivë e Bashkimit Europian që qeveria do të duhet ta plotësojë.

Kjo direktivë parashikon rezerva tre muaj importe ose dy muaj konsum që është e barazvlefshme me rreth 240 mijë tonë naftë.

Por zbatimi i kësaj direktive duket sfiduese për ekonominë shqiptare, e cila kërkon ambiente magazinuese për këtë rezervë si dhe kërkon një kosto rreth 300 mln euro.

Eduard Gjokutaj, ekspert fiskal thotë se edhe sot ne kemi në fuqi ligjin që na detyron të kemi rezerva.

“Sot ne kemi ligjin në letër që na detyron të kemi tre muaj rezerva. Por askush nuk i verifikon këto sasi. Marrim të mirëqenë atë çka deklarojnë vet operatorët. Nga këto deklarime ne dimë që kemi vetëm një muaj rezerva naftë në vend. Miratimi i kësaj direktivi të BE-së do të detyrojë institucionet të jenë më monitoruese për zbatimin e këtij kriteri”, tha Gjokutaj.

Sipas Gjokutaj, qeveria me qëndrimet e saj dhe paralajmërimet për rikthim të bordit, ndikon negativisht në treg, duke rritur çmimet.

“Tregu ka nevojë për konkurrencë. Është një treg i përqendruar në pak duar. Nuk ka nevojë për borde. Ato ndikojnë negativisht. Eksperienca e mëparshme me bordet nuk ishte e suksesshme. Nuk patëm transparencë sesi përcaktoheshin çmimet, edhe pse bordi quhej bord i transparencës”, tha Gjokutaj.

Problemi i përvitshëm në tregun vendas është se sa herë rritet çmimi i naftës në tregjet ndërkombëtare, rritja vjen menjëherë në tregun e brendshëm. Por kur çmimet ulen jashtë, tek ne kjo ulje reflektohet ose me vonesë ose fare./Tema 

ME TE LEXUARAT