S'ka më dokumente: Transporti i mallrave në Shqipëri do të kalojë në sistemin elektronik

Epoka e shoferëve të kamionëve dhe kompanive të logjistikës që udhëtojnë me dosje të mbushura me dokumente fizike, fatura dhe vula doganore, duket se po shkon drejt fundit. Qeveria shqiptare ka bërë gati projektligjin e ri “Për informacionin elektronik të transportit të mallrave” (eFTI), një lëvizje strategjike që synon digjitalizimin e plotë të një prej sektorëve më jetikë të ekonomisë.
Projektligji, i propozuar nga Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit dhe që do të zbatohet në terren nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, nuk është thjesht një nismë e brendshme digjitalizimi, por një detyrim për t’u përafruar me Rregulloren e Bashkimit Evropian (2020/1056). Ky hap e afron Shqipërinë me tregun e përbashkët evropian, duke hapur rrugën për një transport më të shpejtë, më të sigurt dhe me kosto më të ulëta.
Çfarë ndryshon për bizneset dhe shtetin?
Thelbi i këtij projektligji është detyrimi i institucioneve shtetërore – nga Doganat e Tatimet, tek Policia Rrugore – që të pranojnë dhe të njohin ligjërisht dokumentacionin e transportit në format tërësisht elektronik.
Për ta bërë këtë të mundur, do të ngrihen platforma të posaçme eFTI (Electronic Freight Transport Information). Çdo operator ekonomik do të ngarkojë të dhënat e ngarkesës në këto platforma të certifikuara. Në momentin e një kontrolli në rrugë apo në pikën kufitare, autoritetet nuk do të kërkojnë më letra fizike, por do të aksesojnë informacionin e koduar drejtpërdrejt nga sistemi.
Goditje kundër informalitetit dhe ulje e kostove
Përtej lehtësimit të procedurave, ky ligj shihet si një mjet i fuqishëm për rritjen e transparencës dhe goditjen e informalitetit. Duke qenë se të dhënat hidhen në një sistem qendror të mbrojtur, manipulimi i faturave, ndryshimi i peshës së mallrave apo evazioni i mundshëm në pikat doganore bëhet pothuajse i pamundur. Çdo veprim në platformë le një “gjurmë digjitale” (log-op) që mund të auditohet në çdo kohë.
Nga ana tjetër, përfitimi për biznesin, veçanërisht për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme (NVM) që dominojnë këtë sektor, është i drejtpërdrejtë. Ulja e kohës së pritjes në kufi dhe eliminimi i kostove administrative për printimin dhe menaxhimin e mijëra letrave do të rrisë konkurrencën e operatorëve shqiptarë në rajon dhe më gjerë.
Sfidat e zbatimit dhe siguria kibernetike
Pavarësisht entuziazmit për digjitalizimin, sfidat e zbatimit mbeten. Krijimi i një infrastrukture të tillë kërkon bashkëpunim të ngushtë mes AKSHI-t, Autoritetit Kombëtar të Sigurisë Kibernetike dhe ministrive të linjës. Të dhënat tregtare janë tejet sensitive dhe projektligji parashikon kushte strikte për mbrojtjen e tyre nga sulmet kibernetike apo aksesi i paautorizuar.
Platformat që do të ofrojnë këtë shërbim do t’i nënshtrohen një vlerësimi të rreptë dhe do të certifikohen nga organe të pavarura, duke garantuar kështu që çdo “byte” informacioni i transportuar të jetë po aq i mbrojtur sa edhe vetë malli fizik në kamion.
Shqipëria ka tani detyrën e vështirë të miratojë aktet nënligjore brenda 6 muajve të ardhshëm dhe të ngrejë infrastrukturën teknike. Nëse gjithçka shkon sipas planit, rrugët e vendit nuk do të transportojnë vetëm mallra, por do të jenë pjesë e një autostrade të vërtetë digjitale evropiane./Tema


