Ndryshon statuti i Akademisë: Më shumë pavarësi për shkencën

Aktualitet

Ndryshon statuti i Akademisë: Më shumë pavarësi për

Ndërhyrjet në statutin e Akademisë së Shkencave prekin drejtpërdrejt karrierën e kërkuesve shkencorë dhe pavarësinë e instituteve në varësi të saj. Ato u bënë të detyrueshme nga ligji i ri për shkencën i miratuar në vitin 2024. Në fokus është krijimi i një sistemi të ri kategorizimi për kërkuesit shkencorë, paralel me karrierën universitare.

“Ligji i ri i shkencës fut për herë të parë kategorizimin e kërkuesve shkencorë. Pra, nga kërkues shkencor, në kërkues të avancuar dhe drejtues kërkimor shkencor. Janë dy sisteme paralele me atë universitar, të barabarta në planin shkencor, por jo ekuivalente juridikisht. Me ndryshimet në statut kemi afruar kritere të ngjashme me homologët europianë dhe u japim mundësi kërkuesve të bëjnë karrierë të pavarur brenda sistemit të kërkimit shkencor.”, tha Skënder Gjinushi, kryetar i Akademisë së Shkencave.

Ndryshimet prekin edhe politikën e pagave.

“Pagat janë në një marzh minimum-maksimum. Por meqenëse futen kategori të reja dhe kërkesa më të larta, mendohet që paga minimale të jetë më e lartë se ajo e parashikuar më parë.”, tha Gjinushi.

Një tjetër sfidë mbetet numri i botimeve shkencore, që ndikon në renditjet ndërkombëtare. Akademia tashmë ka kërkues të punësuar në institute dhe njësi të përhershme, çka ka sjellë rritje të publikimeve.

“Botimet janë në rritje, por jo në nivelin që dëshirojmë. Kemi kërkuar që produkti shkencor të pasqyrohet jo vetëm në revista të huaja, por edhe në revistat tona, për të rritur rankimin dhe nivelin e tyre. Duhet një balancë mes botimeve brenda dhe jashtë vendit.”

Ndryshimet i japin një status të ri Instituteve të Albanologjisë dhe Qendrës së Studimit të Arteve.

“Statusi i njësisë së posaçme jep dy të drejta plus: financim të drejtpërdrejtë dhe lidhje marrëveshjeje me një shkollë të lartë, sidomos për ciklin e tretë. Kjo institucionalizon bashkëpunimin dhe e bën atë të programuar, jo të varur nga vullneti individual.”

Akademia synon fuqizimin e instituteve ekzistuese, përmirësimin e kushteve të punës dhe ngritjen e njësive të reja kërkimore, me qëllim rritjen e konkurrueshmërisë dhe integrimin më të plotë në hapësirën europiane të kërkimit shkencor./Shqiptarja

ME TE LEXUARAT