Qeveria planifikon të japë bonus për pensionistët edhe këtë fundvit

Aktualitet

Qeveria planifikon të japë bonus për pensionistët edhe

Qeveria planifikon të japë bonus për pensionistët edhe këtë fundvit. Vendimi pritet të merret nga Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit pas muajit shtator.

“Ne presim që mbështetja e fundvitit të jetë gjithëpërfshirëse dhe të mos lërë jashtë asnjë kategori. Të moshuarit përballen me kosto të larta jetese dhe çdo ndihmë financiare është e domosdoshme, veçanërisht në periudhën e dimrit”, tha Faik Xhani, “Bashkimi i Përgjithshëm i Pensionistëve të Shqipërisë”.

Vendimi vjen pas nisjes së zbatimit të skemës së re e cila parashikon rritje mujore të pensioneve. Po nga kjo formulë rreth 90 mijë të moshuar u përjashtuan nga rritja. Në total marrin bonus mujor 727 mijë pensionistë nga në vend janë gati 770 mijë që janë në total. Vetëm 36 për qind e tyre do të marrin 1800 lekë në muaj, pasi pjesa dërrmuese gati 41 për qind do marrin 800 lekë, ndjekur nga 10.3 për qind që do të marrin 1 mijë lekë, e pjesa tjetër janë në vlerat 600-700 lekë.

“Formula aktuale ka krijuar diferenca mes pensionistëve dhe kjo ka sjellë pakënaqësi. Duhet rishikuar mënyra e përllogaritjes që mbështetja të jetë më e drejtë dhe të garantojë trajtim të barabartë për të gjithë”, tha Xhani.

Nëse skema do të mbetet e tillë, numri i pensionistëve që s’do të përfitojnë do të rritet në 2027-ën, pasi vlerat mujore të bonusit do të dyfishohen. “Fondet që janë akumuluar duhet të shfrytëzohen për të forcuar skemën e pensioneve, qoftë për rritje të përhershme, qoftë për shpërblime shtesë. Është e rëndësishme që këto burime të kthehen në përfitime konkrete për pensionistët”, tha Xhani.

Ndërkohë fundjavën e shkuar, Ministria e Financave njoftoi se rreth 167 milionë euro që nuk u shpenzuan vjet, janë depozituara tashmë në Llogarinë Speciale të Fondit të Pensioneve pranë Bankës së Shqipërisë. Fondet që kalojnë në llogarinë e Bankës Qendrore, mund të përdoren me VKM, për të mbështetur pensionistët, qoftë për shpërblimin por edhe për indeksimin e tyre./A2

ME TE LEXUARAT