Siguria ushqimore/ AKU inspekton 2 subjekte të përpunimit të qumështit dhe mishit të pulës në Korçë

Inspektorati i Përgjithshëm, inspektorët e Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) në Korçë kanë zhvilluar kontrolle në dy subjekte ushqimore në qytet: një stabiliment të përpunimit të qumështit dhe nënprodukteve të tij, si dhe një stabiliment të përpunimit të mishit të pulës.
Procesi i inspektimit është mbikëqyrur nga afër nga një ekip i Inspektoratit të Përgjithshëm, me qëllim verifikimin e zbatimit të procedurave ligjore, dokumentimit korrekt të çdo hapi dhe përdorimit të pajisjeve të duhura të punës. Po ashtu, është kontrolluar edhe autorizimi i inspektimeve dhe dokumentacioni shoqërues përkatës.
Sipas njoftimit zyrtar, këto inspektime janë realizuar në kuadër të transparencës dhe zbatimit të ligjit për inspektimin, duke synuar rritjen e llogaridhënies dhe standardizimin e proceseve të kontrollit në terren.
Inspektorati i Përgjithshëm thekson se të gjitha gjetjet dhe vlerësimet do të përfshihen në raportin për performancën e trupës inspektuese, i cili shërben për përmirësimin e standardeve dhe forcimin e besimit publik në procesin e inspektimeve.


