"Do të ishte ofendim për ne”, Italia refuzon zëvendësimin e Iranit në Botërorin 2026

Zyrtarët italianë kanë marrë një qëndrim të qartë pas thirrjeve të fundit që Italia të zëvendësojë Iranin në Kupën e Botës 2026: “Nuk është e përshtatshme, kualifikohesh në fushë”.
Italia dështoi të kualifikohej për Kupën e Botës 2026 pasi përfundoi e dyta pas Norvegjisë në grupin e saj kualifikues, përpara se të humbiste në penallti kundër Bosnjë dhe Hercegovinës në finalen e play-off-it në fund të marsit.
Ky është turneu i tretë radhazi që katër herë fituesit e Kupës së Botës e kanë humbur.
Megjithatë, ka pasur thashetheme në rritje se Italia mund të jetë në radhë për të zëvendësuar Iranin në turneun e vitit 2026 në Amerikën e Veriut, pas shqetësimeve për një bojkot të mundshëm për arsye politike.
Paolo Zampolli, një i dërguar i Donalt Trump-it me origjinë italiane, i ka thënë së fundmi gazetës “Financial Times” se u është drejtuar drejtpërdrejt presidentëve të Shteteve të Bashkuara dhe FIFA-s me një propozim për të zëvendësuar Iranin me Italinë në Kupën e Botës 2026.
“Konfirmoj se u kam sugjeruar Trump-it dhe Infantino-s që Italia të zëvendësojë Iranin në Kupën e Botës”, tha Zampolli.
“Unë jam italian dhe do të ishte një ëndërr t’i shihja ‘azurrët’ në një turne të organizuar nga SHBA-të. Me katër tituj, ata kanë origjinën për të justifikuar përfshirjen”.
Propozimi i Zampolli-t ka shkaktuar reagime në Itali. Si ministri italian i Sportit, Andrea Abodi, ashtu edhe presidenti i CONI-t, Luciano Buonfiglio, mendojnë se Italia e ka pasur tashmë shansin e saj për t’u kualifikuar në Kupën e Botës dhe, nëse nuk arriti të kualifikohej herën e parë, atëherë nuk e “meriton” të shkojë.
“Para së gjithash, nuk mendoj se është e mundur. Së dyti, do të ndihesha i ofenduar. Duhet ta meritosh të shkosh në Kupën e Botës”, tha Buonfiglio përmes “La Gazzetta dello Sport”.
Abodi shtoi: “Nuk është e përshtatshme. Kualifikohesh në fushë”.


