Tentoi të fusë drogë në burgun e Durrësit gjatë takimit me familjarin, kontrolli fizik "e fundos" vizitorin

Një tentativë për futjen e sendeve të ndaluara është goditur të dielën në ambientet e IEVP Durrës.
Sipas njoftimit zyrtar, rreth orës 12:50, gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj familjarëve që kishin ardhur për takime, u evidentua rasti i një vizitori me iniciale E.V., i cili do të takonte një të paraburgosur po me inicialet E.V.
Gjatë kontrollit, atij iu gjetën dhe sekuestruan dy qese të vogla të mbështjella me natriban, të cilat dyshohet se përmbajnë lëndë narkotike dhe ishin fshehur në trup.
Menjëherë pas konstatimit, sendet e ndaluara u bllokuan, u hartuan procesverbalet përkatëse dhe u njoftua Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve për vijimin e veprimeve procedurale.


