Tragjedi në Itali, 20-vjeçari shqiptar dhunoi nënën dhe u hodh në det, gjendet trupi i pajetë

Itali – Një ngjarje e rëndë u regjistrua një ditë më parë në komunitetin e Civitanova Marche. Rikardo Merkuri, 20 vjeç, me origjinë shqiptare, pas një konflikti të ashpër me nënën e tij, Albana Kastriot, u largua nga shtëpia dhe më pas u hodh në det. Trupi i tij u gjet mëngjesin e sotëm.
Të premten në mbrëmje, sipas mediave italiane, Rikardo ndodhej në shtëpi vetëm me nënën. Ndërsa babai, Mario Merkuri, një sipërmarrës i vogël në ndërtim, dhe vëllai i madh ishin jashtë.
Rreth orës 21:00, një fqinj i alarmuar nga britmat që vinin nga banesa, lajmëroi karabinierët.
Kur ata mbërritën, Rikardo ishte larguar. Nëna e tij u gjet e pa ndjenja në banjo, me dëmtime serioze nga dhuna. Ajo u transportua me urgjencë në spitalin e Macerata-s, ku aktualisht ndodhet në koma të induktuar. Megjithëse gjendja e saj është kritike, fatmirësisht nuk rrezikon jetën.
Menjëherë pas ngjarjes filluan kërkimet për të riun, i cili ishte akuzuar për lëndime të rënda. Rikardo u largua me makinën e tij duke lënë celularin në shtëpi, i cili u sekuestrua nga karabinierët.
Video nga kamerat e portit tregojnë momentin kur ai hyn në ujë dhe më pas nuk shfaqet më. Kërkimet zgjatën deri në mbrëmje dhe përfunduan mëngjesin e sotëm me gjetjen e trupit.
Familja, me origjinë shqiptare por e vendosur në Pollenza që nga vitet ’90, është e njohur dhe e integruar mirë në komunitet. Të dy fëmijët kanë lindur dhe janë rritur në Itali; Rikardo ka luajtur edhe futboll në skuadrën Montemilone. Ngjarja ka lënë të gjithë komunitetin në shok.



