Valon Lluka thyen heshtjen për aksionet e Aeroportit të Vlorës: “Nuk kam vepruar pa autorizim, ja e vërteta ...

Ish-bashkëpunëtori shumëvjeçar i biznesmenit Behgjet Pacolli, Valon Lluka, ka reaguar publikisht për herë të parë lidhur me akuzat dhe pretendimet që janë bërë muajt e fundit për procesin e shitblerjes së aksioneve në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës.
Përmes një letre publike, Lluka ka deklaruar se për muaj të tërë ka zgjedhur të heshtë, duke besuar se e vërteta duhet të mbrohet në institucione dhe përmes dokumenteve, e jo në debate publike.
“Kam heshtur sepse kam besuar se e vërteta mbrohet me dokumente dhe në institucione, jo në zhurmë publike”, ka shkruar ai.
Lluka mohon kategorikisht pretendimet se ka vepruar jashtë autorizimeve të marra, duke theksuar se çdo hap i ndërmarrë në procesin e aksioneve është bazuar në vendime dhe autorizime zyrtare të kompanisë Mabco Construction SA.
Sipas tij, në maj të vitit 2022 kompania kishte miratuar zyrtarisht shitjen e aksioneve të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës dhe e kishte autorizuar atë për realizimin e procesit, ndërsa në korrik të vitit 2023 ishte lëshuar edhe një prokurë e posaçme për nënshkrimin e dokumenteve dhe kryerjen e regjistrimeve ligjore.
“Nuk kam nënshkruar asnjë dokument pa autorizim. Nuk kam vepruar asnjëherë jashtë mandatit të dhënë. Kam bërë vetëm atë që dokumentet zyrtare më kanë autorizuar të bëj”, thuhet në reagimin e tij.
Ai ka ngritur edhe një pyetje publike lidhur me pretendimet e ngritura ndaj tij, duke theksuar se procesi në fjalë është zhvilluar përmes administratës, juristëve, menaxhmentit dhe komunikimeve zyrtare të kompanisë.
“A po kërkohet nga publiku të besojë se administrata, juristët, menaxhmenti dhe personat që kanë nënshkruar vendimet dhe autorizimet nuk kanë pasur dijeni për atë që po ndodhte?”, pyet Lluka në reagimin e tij.
Në fund të letrës, ai ka bërë të ditur se do të publikojë dokumente dhe komunikime zyrtare që, sipas tij, dëshmojnë qartë autorizimet dhe bazën ligjore të procesit.
“E vërteta nuk mbrohet nga zhurma. Ajo mbrohet nga dokumentet”, përfundon reagimi i Valon Llukës.
Debati për aksionet e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës ka nxitur reagime të shumta muajt e fundit, ndërsa deklarata e Llukës përbën kundërpërgjigjen e parë të detajuar ndaj akuzave që janë artikuluar publikisht ndaj tij.


