Schumacher martohet me partnerin e tij në Saint-Tropez

Ish-piloti i Formulës 1, Ralf Schumacher, është martuar me partnerin e tij Etienne Bousquet-Cassagne në një ceremoni luksoze të zhvilluar në Saint-Tropez të Francës. Vëllai i legjendës Michael Schumacher kurorëzoi dashurinë e tij më pak se dy vite pasi bëri publik orientimin seksual.

Ceremonia u zhvillua të shtunën nën një mot të mrekullueshëm në jug të Francës dhe shënoi nisjen e një feste madhështore triditore për çiftin. Ralf Schumacher, 50 vjeç, u shfaq elegant me një kostum blu të errët, ndërsa partneri i tij, 14 vite më i ri, kishte zgjedhur po ashtu një kostum të ngjashëm me kravatë blu.
Çifti u prit me buzëqeshje nga të ftuarit, ndërsa Bousquet-Cassagne tërhoqi vëmendje edhe për ndryshimin në pamje, pasi kishte kryer një ndërhyrje estetike para ceremonisë. Sipas medieve, Schumacher nuk kishte qenë dakord me këtë vendim të partnerit të tij.

Ralf Schumacher kishte bërë publik lidhjen e tij në vitin 2024, duke tërhequr vëmendje të madhe në botën e sportit. Më herët ai kishte qenë i martuar me Cora Brinkmann, me të cilën u nda mes polemikash.

Ndërkohë, ceremonia e martesës do të përfshihet edhe në episodin final të dokumentarit me katër pjesë “Ralf & Etienne: Wir sagen Ja” (“Ralf dhe Etienne: Ne themi po”). Tri episodet e para tashmë janë transmetuar, ndërsa seria do të publikohet në platformat Sky dhe Wow.
Ralf Schumacher mbetet një nga emrat më të njohur të Formulës 1, ndërsa familja Schumacher vazhdon të ruajë privatësinë për gjendjen shëndetësore të Michael Schumacher pas aksidentit të rëndë në ski në vitin 2013.


