Nuk ia dha kartelën bankare, gruaja e denoncon burrin për dhunë në familje

Kosovë&Rajon

Nuk ia dha kartelën bankare, gruaja e denoncon burrin për dhunë

Një rast i dhunës në familje është raportuar të dielën në Prishtinë, ku një grua ka denoncuar bashkëshortin e saj pasi dyshohet se e ka goditur gjatë një konflikti për çështje financiare, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:30 në rrugën “Xhemajli Berisha”, ndërsa Policia është njoftuar pak minuta më vonë për incidentin.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se viktima F. F ka deklaruar para hetuesve se konflikti kishte nisur pasi bashkëshorti i saj, A. Th, i kishte kërkuar kartelën bankare.

Sipas saj, pasi kishte refuzuar t’ia jepte kartelën, i dyshuari e kishte goditur me shuplakë në anën e djathtë të fytyrës.

Pas raportimit të rastit, njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë shoqëruar çiftin në Stacionin Policor për intervistim dhe procedura të mëtejshme.

Viktima nuk ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa ka deklaruar se ndihet e sigurt në shtëpinë e saj.

Lidhur me rastin është njoftuar Prokurorja kujdestare për dhunë në familje, e cila ka urdhëruar inicimin e rastit “Dhunë në familje”.

Pas intervistimit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa rasti mbetet nën hetime.

ME TE LEXUARAT