Vapa shton pickimet nga gjarpërinjtë, toksikologia: Kujdes mos e lidhni ose shponi plagën
Temperaturat ekstreme të ditëve të fundit kanë sjellë një rritje të ndjeshme të rasteve të pickimeve nga insektet dhe gjarpërinjtë, veçanërisht në zonat rurale të vendit. Shërbimi i Toksikologjisë në QSUT ka regjistruar një numër të shtuar pacientësh të pickuar nga gjarpërinj, me Elbasanin si një nga zonat më të prekura.
Sipas toksikologes Amarda Gashi, rastet më të zakonshme të helmimeve lidhen me pickimet nga gjarpërinjtë, merimangat dhe akrepat. “Zona të Shqipërisë së Mesme si Elbasani kanë pasur raste që për ne janë shumë të vështira për t’u trajtuar, kryesisht nga pickimet e gjarpërinjve”, deklaroi ajo.
Mjekët paralajmërojnë për trajtimin e gabuar të plagëve. Sipas tyre, veprime të tilla si lidhja e gjymtyrës, shpuarja apo çarja e plagës janë jo vetëm të padobishme, por edhe të rrezikshme. “Nëse të kafshon gjarpri në këmbë, nuk duhet ta lidhim me fashë, mos ta çajmë apo shpojmë, sepse helmi do bëjë ciklin e vet të penetrimit pavarësisht këtyre masave. Përveçse mund të dëmtojmë qarkullimin e gjakut, mund të shkaktojmë dhe infeksion të plagës”, sqaroi Gashi.
Në rast pickimi, këshillohet përdorimi i kompresave me ujë të ftohtë dhe marrja e qetësuesve të lehtë që nuk kërkojnë recetë mjekësore, por ndihma e specializuar mjekësore mbetet e domosdoshme në çdo rast.