Gjendet i pajetë DJ i njohur italian, babai akuzon policinë spanjolle për vr*sje: Ka pasur një …
Një ngjarje e rëndë sa edhe e mistershme ka tronditur botën e muzikës elektronike dhe opinionin publik në Itali.
Mediat italiane shkruajnë se DJ dhe producenti, Michele Noschese, i njohur me emrin artistik “Godzi”, ka ndërruar jetë në rrethana ende të paqarta në Ibiza, Spanjë. Ngjarja e rëndë thuhet se ka ndodhur gjatë natës mes 18 dhe 19 korrikut, e ai ishte vetëm 35 vjeç.
Lajmi është konfirmuar nga familjarët dhe është përhapur me shpejtësi në rrjetet sociale dhe mediat e specializuara në muzikë techno, ku shumë artistë dhe ndjekës kanë shprehur dhimbjen e thellë për humbjen e një talenti të njohur në skenën ndërkombëtare.
Sipas burimeve mediatike dhe dëshmive të para, dyshohet se Guardia Civil spanjolle mund të jetë përfshirë në incidentin që çoi në vdekjen e DJ-t.
Sipas një versioni, policia ndërhyri në një festë private të organizuar nga Noschese në shtëpinë e tij në Ibiza, pas ankesave për zhurmë nga fqinjët. Aty dyshohet se ndodhi një konflikt fizik mes forcave të rendit dhe Noschese, i cili më pas humbi jetën.
Burime pranë autoriteteve spanjolle kanë pohuar se vdekja mund të jetë shkaktuar nga një arrest kardiak pas konsumit të alkoolit dhe substancave narkotike, por kjo mbetet për t’u verifikuar.
Giuseppe Noschese, babai i Michele-s, një mjek dhe ish-primar, ka dorëzuar një padi për vrasje të qëllimshme ndaj policisë në prokurorinë spanjolle.
Në një intervistë për “La Repubblica”, ai deklaroi:
“Ka pasur një rrahje brutale nga ana e policisë. Festa përfundoi me një konflikt dhe më pas arrestimin e djalit tim. Një nga djemtë që ishte në shtëpi, u zgjua dhe pa gjithçka: Michele po goditej nga agjentët. Ai ishte një sportist, në gjendje të shkëlqyer fizike dhe shëndetësore. Dy gjëra janë të padiskutueshme: djali im ndërroi jetë ndërsa ishte nën kujdesin e policisë dhe nuk u dërgua në spital, por drejt e në morg”.
Autoritetet spanjolle kanë nisur një hetim zyrtar, ndërsa është kryer edhe autopsia, rezultatet e së cilës priten të hedhin dritë mbi shkaqet e vërteta të vdekjes. Disa nga të pranishmit në festë kanë pohuar se Noschese u dhunua pa shkak nga policët, dhe dëshmitë e tyre janë përfshirë në kallëzimin penal të paraqitur nga babai i tij.
Edhe ambasada italiane në Spanjë po ndjek nga afër zhvillimet e çështjes.
Ka pasur gjithashtu edhe reagime politike, ku eurodeputeti Fulvio Martusciello, sekretar i Forza Italia në Campania, është shprehur:
“Duam të vërtetën për vdekjen e Michele Noschese. Duhet të dimë çfarë ka ndodhur dhe cili është përgjegjës për këtë humbje. Nuk mund të lejojmë që vdekja e një të riu të suksesshëm dhe të dashur si Michele, të mbetet në errësirë”.
Ngjarja vazhdon të tronditë Italinë dhe komunitetin artistik ndërkombëtar, ndërsa opinioni publik kërkon transparencë dhe drejtësi për një vdekje që ngre shumë pikëpyetje.