Zgjedhja e kreut të ri të SPAK, KLP tërhiqet nga ndryshimet në rregullore, mbledhja me vëzhgues të huaj

Aktualitet

Zgjedhja e kreut të ri të SPAK, KLP tërhiqet nga ndryshimet

Në mbledhjen e zhvilluar këtë të mërkurë në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, ku të pranishëm ishin edhe përfaqësuesit amerikanë, nuk u diskutua propozimi i bërë më herët nga i anëtari Erind Mërkuri, i cili kërkonte ndryshimin e rregullores për drejtuesin e SPAK.

Duket se mesazhet e dhëna pak ditë më parë zyrtarët amerikanë në Tiranë, për një proces të drejtë dhe transparent në zgjedhjen e drejtuesit të ri të SPAK, kanë bërë që KLP të tërhiqet nga kjo kërkesë e Mërkurit, i cili, kërkoi saktësimin e termit “shumica’ që vendos sipas rregullores drejtuesin e SPAK.

Kështu mbetet në fuqi rregullorja e vjetër që KLP ka aplikuar edhe më parë.

“Edhe SPAK-u i nënshtrohet ligjeve të Shqipërisë. Bazuar në ligj, Z. Dumani, sado efektiv që ka qenë, do të zëvendësohet, sepse mandati i tij ka përfunduar. Procesi i përzgjedhjes së pasardhësit të Z. Dumani duhet të jetë i paanshëm, transparent dhe i lirë nga ndikimet e jashtme. Ata që dëshirojnë ta shohin Shqipërinë të vazhdojë luftën kundër krimit dhe korrupsionit, përfshirë partnerët ndërkombëtarë, janë shumë të interesuar për këtë proces dhe do ta ndjekin nga afër”, deklaroi e Ngarkuara me Punë Nancy VanHorn.

Mërkuri, i zgjedhur vjet nga radhët e avokatëve, ka kërkuar ndërhyrjen e KLP mbi numrin e saktë të votave që certifikojnë kreun e ri të SPAK-ut, gjë e cila mund të sjellë në perspektivë votimin në disa raunde derisa të bëhet shumica e kërkuar.

Kjo rregullore u miratua me ndryshime pas zgjedhjes së Dumanit dhe përcakton se kreu i SPAK-ut zgjidhet me shumicën e anëtarëve të KLP-së. Ndërsa kuorumi i detyrueshëm për mbledhje plenare është 7 anëtarë nga 11 gjithsej.

Mërkuri nuk pranoi të komentonte publikisht arsyet e propozimit të tij përpara se ta bënte këtë zyrtarisht në KLP. Si njohësi çështjeve kushtetuese, Mërkuri ka përfaqësuar Kuvendin në Gjykatën Kushtetuese në procesin e nisur nga Partia Socialiste për shkarkimin e presidentit Ilir Meta./tch

ME TE LEXUARAT