Fotoja sekrete e Epstein zbulon darkën e 'shfrenuar' me titanët e teknologjisë

Bota

Fotoja sekrete e Epstein zbulon darkën e 'shfrenuar' me

Një fotografi e fshehur nga viti 2015, e përfshirë në dosjet e publikuara së fundmi për Jeffrey Epstein, tregon financierin e diskredituar duke darkuar në mënyrë miqësore me disa nga figurat më të fuqishme të teknologjisë globale, përfshirë Elon Musk dhe Mark Zuckerberg.

Sipas dokumenteve të cituara nga DailyBeast, më 2 gusht 2015 Epstein i dërgoi një email mikut të tij Peter Attia, sot kontribuues i njohur i CBS News, duke e informuar se atë mbrëmje do të darkonte me Musk, Zuckerberg dhe Peter Thiel. Të nesërmen, Epstein i dërgoi vetes një fotografi ku shfaqen Musk, Zuckerberg, bashkëshortja e këtij të fundit Priscilla Chan, si dhe të ftuar të tjerë të mbledhur rreth tryezës.

Fotografia, tashmë pjesë e dosjeve të Departamentit amerikan të Drejtësisë, ka rikthyer vëmendjen mbi lidhjet e Epstein me elitën e teknologjisë, pas publikimit të materialeve më 30 janar.

Darka ishte raportuar për herë të parë nga Vanity Fair në vitin 2019. Ajo u organizua në Palo Alto nga Reid Hoffman, themelues i LinkedIn, në nder të neuroshkencëtarit të MIT-it Ed Boyden. Sipas Vanity Fair, Musk dyshohet se e prezantoi Epsteinin me Zuckerbergun gjatë takimit.

Në një email të 20 gushtit 2015 drejtuar miliarderit Tom Pritzker, Epstein e përshkroi darkën si “të shfrenuar” (“wild”). Megjithatë, vitet e fundit ,personat e pranishëm kanë nxituar ta minimizojnë rëndësinë e takimit.

Reid Hoffman, 58 vjeç, shprehu të dielën “keqardhje të thellë” për faktin që kishte pasur kontakte me Epstein pas dënimit të tij penal. “Do të vazhdoj të kërkoj publikimin e plotë të dosjeve Epstein. Viktimat meritojnë drejtësi dhe përgjegjësit duhet të mbajnë përgjegjësi,” shkroi ai në platformën X.

Përfaqësues të Zuckerberg deklaruan për Vanity Fair në vitin 2019 se ai “e ka takuar Epstein vetëm një herë, rastësisht, në një darkë që nuk ishte organizuar nga Epstein dhe nuk ka pasur më kontakte pas saj”. I njëjti qëndrim u përsërit edhe këtë javë për New York Post.

Edhe Musk ka mohuar çdo afërsi me Epstein. Në një postim më 31 janar në X, ai shkroi: “Nuk kam qenë kurrë në asnjë festë të Epstein dhe kam kërkuar vazhdimisht ndjekjen penale të atyre që kanë kryer krime me të.”

Megjithatë, dokumentet e publikuara tregojnë se Musk i kishte shkruar Epstein-it më 25 dhjetor 2012, duke i kërkuar ta ftonte në festa në Karaibe ose gjetkë. “Dua vërtet të hyj në jetën e festave dhe të çlirohem,” shkruante ai në email.

Publikimi i këtyre materialeve ndezi gjithashtu një përplasje publike mes Musk dhe Hoffman, me akuza reciproke për gënjeshtra dhe fshehje faktesh.

Jeffrey Epstein ishte dënuar në vitin 2008 për rekrutimin e një të miture për prostitucion dhe kishte vuajtur 13 muaj burg, shumë kohë përpara se të fillonte të qarkullonte në rrethet më të larta të industrisë teknologjike/Shqiptarja

ME TE LEXUARAT