Hormuzi në bllokadë/ Anijet detyrohen të kthehen për shkak të pasigurisë në zonë

Lëvizja e anijeve në Ngushticën e Hormuzit vijon të jetë e kufizuar, duke krijuar tension në një nga rrugët më të rëndësishme të transportit të energjisë në botë.
Sipas të dhënave të fundit, disa anije janë detyruar të ndryshojnë kurs ose të kthehen mbrapsht, për shkak të pasigurisë në zonë.
Dy cisterna që transportonin gaz të lëngshëm nafte nuk kanë vijuar udhëtimin e planifikuar, edhe pse kishin pajisjet e gjurmimit aktive.
Situata është përkeqësuar pas sinjaleve për kufizime nga ana e Iranit, çka ka shtuar pasigurinë për lëvizjen në këtë korridor strategjik. Kjo ka ndikuar menjëherë edhe në tregjet ndërkombëtare, ku çmimet e naftës dhe gazit reagojnë ndaj çdo zhvillimi në zonë.
Nga ana tjetër, Shtetet e Bashkuara bëjnë të ditur se kanë ndërhyrë duke kthyer disa anije që nga fillimi i tensioneve në mes të prillit. Ky veprim shihet si përpjekje për të kontrolluar situatën dhe për të garantuar sigurinë e lundrimit.
Autoritetet iraniane mbajnë qëndrim të fortë për kontrollin e ngushticës, duke e konsideruar atë pjesë të interesave të tyre strategjike.


