Qarkorja e re ashpërson rregullat për emigrantët në Greqi, eksperti : Mijëra shqiptarë rrezikojnë lejen e qëndrimit

Një qarkore e re për emigracionin në Greqi ka ngritur shqetësime të forta te komuniteti shqiptar, pasi pritet të ndikojë drejtpërdrejt në rinovimin e lejeve të qëndrimit për mijëra persona.
Në një lidhje me emisionin “News24-Fundjavë”, eksperti i çështjeve të emigracionit Etmond Guri tha se, qarkorja vjen në vazhdim të ndryshimeve ligjore të vitit 2026 dhe synon të përshpejtojë procedurat vetëm për emigrantët me dokumentacion të rregullt. “Risia qëndron te lehtësimi i procedurave për kategoritë e sigurta, por nuk ofron asnjë zgjidhje për ata që janë pa dokumente,” thekson ai.
Guri nënvizon se deri në vitin 2025, legjislacioni grek kishte një qasje më humane ndaj emigrantëve, duke lejuar aplikime për leje qëndrimi edhe për persona që kishin vite të tëra në vend. Pas këtij viti, sipas tij, është vënë re një ashpërsim i dukshëm i politikave, sidomos për emigracionin e parregullt.
Në muajt korrik dhe gusht 2025, Greqia miratoi dy ligje të reja që synojnë frenimin e emigracionit të paligjshëm. Këto masa parashikojnë që çdo person pa dokumente të rregullta, nëse ndalohet nga autoritetet, fillimisht dërgohet në qendra ndalimi dhe më pas përballet me dënime që variojnë nga gjobat deri në burgim 1-2 vjet. Deportimi shoqërohet me ndalim hyrjeje në Greqi dhe vendet e BE-së për një periudhë nga 5 deri në 10 vjet.
Një tjetër element problematik, sipas ekspertëve, është fakti që edhe në rastet kur vendimi ankimohet, deportimi mund të ekzekutohet menjëherë, ndërsa rezultati i apelimit shqyrtohet më pas.
Qarkorja e re prek veçanërisht ata emigrantë që kanë humbur lejen e qëndrimit gjatë vitit të kaluar, ndërsa nuk parashikon mundësi të reja për rikuperimin e statusit për kategori të tjera në vështirësi, si personat me probleme shëndetësore apo ata që kanë humbur dokumentacionin prej kohësh.
Reagimet nga diaspora shqiptare nuk kanë munguar. Organizata dhe individë të shumtë kanë ngritur alarmin për kostot e larta të proceseve gjyqësore dhe pasigurinë ligjore që po përjetojnë emigrantët.
Aktualisht, në Greqi jetojnë rreth 500 mijë emigrantë të ligjshëm, nga të cilët rreth 140 mijë janë shqiptarë me leje qëndrimi. Ndërkohë, vlerësohet se 70–80 mijë shqiptarë e kanë humbur këtë status, një shifër që mbetet shqetësuese edhe pse në rënie. Ekspertët theksojnë se vështirësitë për t’u pajisur me dokumente dhe alternativat më të favorshme në vende të tjera të Bashkimit Evropian po ndikojnë në largimin gradual të shqiptarëve nga Greqia.


