“Kam dhimbje të tmerrshme” / Postoi live makthin e lindjes, 27-vjeçarja vdes pas 4 arrestesh kardiake

Bota

“Kam dhimbje të tmerrshme” / Postoi live makthin e lindjes,

Një 27-vjeçare ka humbur jetën në mënyrë tragjike pasi dokumentoi në rrjetet sociale përjetimin e lindjes së fëmijës së saj të dytë.

Estetistja Anna Malova thuhet se përjetoi dhimbje të padurueshme përpara se të pësonte “konvulsione të rënda” dhe të binte në koma në një spital në Rusi.

“Daily Star” shkruan se ajo iu nënshtrua një lindjeje me prerje cezariane, e cila shpëtoi jetën e vajzës së saj, e lindur e shëndetshme.

Megjithatë, sipas raportimeve, 27-vjeçarja pësoi katër arrest kardiak dhe dëmtime në tru, përpara se të ndërronte jetë. Gjendja e saj e përkeqësuar dyshohet se nuk iu bë e ditur bashkëshortit të saj, Ivan. Ajo ndërroi jetë dy ditë pasi ra në koma, pa e rimarrë vetëdijen.

Tashmë, mjekët po përballen me një hetim penal për “neglizhencë mjekësore”, lidhur me përdorimin e anestezisë epidurale gjatë lindjes.

Fillimisht, Anna shihej e buzëqeshur në një video të fundit, por më pas thuhet se mori dozën maksimale të epiduralit, ndërsa vazhdonte të përjetonte dhimbje të forta në një spital në Novoçerkask, në rajonin Rostov-on-Don.

Sipas burimeve, asaj iu dha edhe një dozë shtesë, e cila nuk e lehtësoi dhimbjen. Në mesazhe drejtuar shoqes së saj, Vika, ajo shkruante: “A duhet të veprojë menjëherë injeksioni? Asgjë nuk ka ndryshuar.” Më pas ajo raportoi për dridhje në këmbë dhe përkeqësim të dhimbjeve.

Në një tjetër mesazh, ajo shprehej: “Po dridhem vetëm gjatë kontraksioneve. Vika, kur do të përfundojë kjo?”

Në një nga mesazhet e fundit, Anna shkroi: “Nuk do t’ia dal dot. Mjeku tha se dha dozën maksimale. Kam dhimbje të tmerrshme, nuk mundem… Ky është një makth.” Fjalët e saj të fundit për shoqen ishin: “Do përpiqem të mbijetoj.”

Familjarët pretendojnë se gjendja e saj u përkeqësua për shkak të një reagimi toksik ndaj barnave anestezike, duke shkaktuar dëmtim të sistemit nervor qendror. Ata gjithashtu akuzojnë mjekët se injoruan ankesat e saj dhe humbën mundësi për ta shpëtuar.

Komiteti Hetimor i Rusisë ka nisur hetimet për të identifikuar përgjegjësit për shkeljet që çuan në vdekjen e gruas. Ndërkohë, është urdhëruar një ekspertizë mjeko-ligjore për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes.

Prokuroria ruse bëri të ditur se hetimi penal është hapur për veprën “shkaktim i vdekjes nga pakujdesia”, e cila dënohet deri në tre vite burg. Ajo shtoi se po ndjek nga afër ecurinë dhe përfundimin e hetimeve.

ME TE LEXUARAT