Misioni kryhet me sukses/ Artemis II u kthye nga Hëna, ja si është gjendja shëndetësore e astronautëve

Astronautët e Artemis II janë rikthyer me sukses në Tokë pas një misioni 10-ditor në hapësirë, i cili u ndoq drejtpërdrejt nga NASA.
Rikthimi nisi me hyrjen e kapsulës hapësinore Orion në atmosferë me një shpejtësi rreth 39 mijë kilometra në orë. Gjatë kësaj faze, siç është e zakonshme, komunikimet me Tokën u ndërprenë për disa minuta për shkak të plazmës që rrethon mjetin gjatë rikthimit. Me rivendosjen e sinjalit, kapsula vazhdoi zbritjen dhe parashutat u hapën sipas planit, duke mundësuar një ulje të kontrolluar në Oqeanin Paqësor. Sipas NASA-s, ulja në ujë, e njohur si “splashdown”, ishte e përkryer dhe shumë e saktë.
Menjëherë pas uljes, ekipet e shpëtimit iu afruan kapsulës për të verifikuar sigurinë dhe për ta stabilizuar atë. Operacionet e rikuperimit vijuan normalisht. Astronautët dolën nga kapsula një nga një, me komandantin Reid Wiseman të fundit. Ata u transportuan me helikopter drejt anijes ushtarake USS John P. Murtha. Që të katërt ishin në humor të mirë, duke buzëqeshur, duartrokitur dhe përshëndetur. Ata ecën vetë drejt qendrës mjekësore, pa pasur nevojë për ndihmë, ku do t’i nënshtrohen kontrolleve të detajuara.
Ky mission ishte fluturimi i parë testues me ekuipazh në programin Artemis, pasardhësin e projektit Apollo të epokës së Luftës së Ftohtë të NASA-s, dhe misioni i parë në botë që dërgon astronautë në afërsi të Hënës, jashtë orbitës së Tokës, pas 53 vjetësh. Ai konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt objektivave të ardhshëm të eksplorimit hapësinor, përfshirë rikthimin e njerëzve në Hënë dhe misionet e ardhshme drejt Marsit.


