SHBA nisin bisedimet për t'i dhënë fund luftës Iran-Izrael, ja çfarë dihet deri më tani!
I dërguari i posaçëm amerikan, Steve Witkoff, dhe ministri i jashtëm iranian, Abbas Araqchi, kanë folur disa herë në telefon që nga momenti kur Izraeli filloi sulmet ndaj Iranit javën e kaluar, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje diplomatike për krizën, thanë tre diplomatë për agjencinë Reuters.
Sipas diplomatëve, të cilët kërkuan të mbeten anonimë për shkak të ndjeshmërisë së çështjes, Araqchi ka deklaruar se Teherani nuk do të rikthehet në tryezën e negociatave për sa kohë që Izraeli nuk ndalon sulmet, të cilat nisën më 13 qershor.
Ata thanë se bisedimet përfshinë edhe një diskutim të shkurtër mbi një propozim të SHBA-ve, i dorëzuar Iranit në fund të majit, që synon krijimin e një konsorciumi rajonal për pasurimin e uraniumit jashtë territorit iranian, një ofertë që Teherani deri tani e ka refuzuar.
Zyrtarët amerikanë dhe iranianë nuk iu përgjigjën menjëherë një kërkese për koment nga Reuters.