SHBA paralajmëron sanksione për pagesat ndaj Iranit në Ngushticën e Hormuzit

SHBA paralajmëron sanksione ndaj kompanive të transportit detar që paguajnë tarifa Iranit për kalimin në Ngushticën e Hormuzit, tensionet rriten në rrugën strategjike të naftës
Në një deklaratë të Zyrës Amerikane të Kontrollit të Aseteve të Huaja (OFAC), u bë e ditur se çdo pagesë ndaj institucioneve shtetërore iraniane për kalim të sigurt në Ngushticën e Hormuzit mund të sjellë pasoja ligjore, jo vetëm për kompanitë amerikane, por edhe për subjektet e huaja.
Sipas autoriteteve amerikane, ndalimi përfshin çdo formë transaksioni, përfshirë pagesat në para, asetet dixhitale apo marrëveshjet joformale, me qëllim kufizimin e të ardhurave të Iranit nga sektori i naftës dhe petrokimisë.
Ngushtica e Hormuzit, një nga arteriet kryesore të tregtisë globale të energjisë, ka parë rënie të ndjeshme të trafikut detar për shkak të tensioneve dhe masave të sigurisë. Nga mijëra anije në muaj, aktualisht kalimi është reduktuar ndjeshëm.
Irani pretendon se tarifat e vendosura shërbejnë për garantimin e sigurisë së anijeve, ndërsa SHBA i cilëson këto veprime si të paligjshme dhe pjesë të përpjekjeve për të anashkaluar sanksionet ndërkombëtare.


