U zhduk 13 vjeçe, vajza gjendet gjallë pas 32 vitesh në Arizona

Një rast që prej dekadash konsiderohej mister është zbardhur në SHBA, ku Christina Marie Plant, e zhdukur në moshën 13-vjeçare, është gjetur gjallë pas plot 32 vitesh.
Vajza ishte parë për herë të fundit më 16 maj 1994 në Star Valley, në Arizona, pasi kishte dalë nga shtëpia për të parë kalin e saj në një stallë pranë zonës ku jetonte.
Në atë kohë, autoritetet e konsideruan zhdukjen si të dyshimtë dhe ngritën alarmin se jeta e saj mund të ishte në rrezik. F
ushata kërkimi u shoqërua me shpërndarjen e fletëpalosjeve në të gjithë vendin, ndërsa hetuesit vijuan për vite me radhë të rishikonin provat dhe të kërkonin informacione të reja.
Sipas zyrës së sherifit, teknologjia ka luajtur një rol vendimtar në zbulimin e fundit, duke ndihmuar në identifikimin dhe gjurmimin e saj.
Megjithatë, autoritetet nuk kanë dhënë detaje mbi vendndodhjen apo rrethanat se si u gjet, duke theksuar se prioritet është respektimi i privatësisë dhe mirëqenies së saj.
Pas më shumë se tre dekadash pasigurie, konfirmimi se ajo është gjallë mbyll një nga rastet më të gjata të personave të zhdukur në atë zonë, duke sjellë një fund të papritur për një histori që kishte mbetur pa përgjigje për vite të tëra.


