Zgjedhjet në Bullgari/ Bie një Viktor Orbán, lind një tjetër! Filorusi Rumen Radev drejt fitores

A mbaron një Viktor Orbán dhe lind një tjetër? Kjo është frika e europianistëve për zgjedhjet parlamentare që mbahen sot në Bullgaria, ku favoriti kryesor është presidenti në largim Rumen Radev, 62 vjeç, ish-pilot avionësh luftarakë, me prirje filoruse dhe euroskeptike.
Sondazhet në Bullgari
Partia e tij, “Bullgaria Progresiste”, renditet në 31% në sondazhe, përballë 21% të GERB-it, qendra e djathtë e ish-kryeministrit të trefishtë Bojko Borisov – pjesë e PPE-së, por jo armiqësor ndaj Vladimir Putin. Më pas vijnë liberalët europianistë të “Vazhdojmë Ndryshimin” me 12% dhe Lëvizja për të Drejtat dhe Liritë me 10%, e drejtuar nga oligarku Delyan Peevski, i fortë në minoritetin turk dhe rom.
Përplasja me Zelenskyn
Formacioni i Radevit, i krijuar vetëm një muaj më parë, deklarohet i qendrës së majtë, por konsiderohet populist dhe filorus, disi si Smer-i i kryeministrit sllovak Robert Fico, që është detyruar të largohet nga grupi i socialistëve europianë. Ai thotë se lufton kundër korrupsionit dhe “shtetit-mafia” që bllokon Bullgarinë, një nga vendet më të varfra dhe më të paqëndrueshme politikisht në Europë, që ka shkuar në zgjedhje për herë të tetë në pesë vite, me shtatë kryeministra të ndryshëm dhe pjesëmarrje që ka rënë në 39%.
Por mbi të gjitha, ai i afrohet sovranizmit, sidomos në qëndrimin e ftohtë ndaj kauzës ukrainase, ndonëse ka dënuar agresionin rus. “Na çon në luftë”, ka deklaruar kur qeveria në largim nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi dhjetëvjeçare me Kievin. Në vend kujtohet ende përplasja e vitit 2023 me liderin ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili iu përgjigj drejtpërdrejt nga Sofja: “Dhe nëse një tragjedi e tillë do të ndodhte këtu dhe ti të ishe në vendin tim, do t’i thoje ‘Putin, merr territoret bullgare?’”.
Po për naftën ruse
Radev, që ka lavdëruar Orbánin, është shprehur edhe pro importit të naftës ruse (“Ekonomia vjen para ideologjisë”) dhe ka kundërshtuar hyrjen e vendit në euro, e realizuar këtë vit mes polemikave, për të cilën ai kishte kërkuar pa sukses një referendum. Gjithashtu ka shprehur dyshime ndaj “ideologjisë liberale” dhe Green Deal-it, ndërsa për politikat ndaj komunitetit LGBTQ ka kërkuar “kthimin e matur te realiteti i dy gjinive”. “A dëshiron të ndjekë modelin e Orbánit dhe të bëhet një kalë Troje brenda BE-së duke bllokuar integrimin?”, ka pyetur publikisht lideri centrist i “Vazhdojmë Ndryshimin”, Assen Vassilev.
Një “top gun” kundër oligarkisë
Ish-gjenerali dhe “top gun” Radev, që në janar dha dorëheqjen si president dhe gjatë fushatës u shfaq në një video duke pilotuar një MiG-29, paraqitet si patriot i pastër, duke përsëritur skemën që i dha fitoren në zgjedhjet presidenciale të vitit 2021, kur hipi mbi valën e protestave të mëdha antikorrupsion të vitit 2020. Edhe kësaj here ka premtuar të “rrëzojë oligarkinë”. Votat i vijnë edhe nga ish-zgjedhës socialistë, nga e djathta ekstreme filoruse dhe nga nacionalistët.
Enigma e aleancave
Qeveria e fundit, një koalicion i madh i drejtuar nga konservatori Rosen Zhelyazkov i partisë GERB të Borisovit, dha dorëheqjen në dhjetor pas 11 muajsh në pushtet, nën presionin e protestave të mëdha kundër korrupsionit dhe inflacionit të lartë.
Por me kë do të bashkëpunojë Radev nëse, siç pritet, nuk arrin shumicën? Qendra e djathtë e Borisovit (rivale historike e tij) dhe Peevski (i sanksionuar nga SHBA dhe Britania) përfaqësojnë Bullgarinë e vjetër të korruptuar. Liberalët europianistë ndajnë me të luftën kundër korrupsionit, por janë pro Ukrainës. Atëherë? A do të mjaftojë një koalicion me forcat e vogla nacionaliste?
Analistët theksojnë se një kryeministër duhet të tregojë aftësi politike shumë më komplekse sesa një president, sidomos kur shumica është e përbërë nga forca të ndryshme. Në rast fitoreje, ose Radev do të tregojë pragmatizëm, ose do të dështojë./ La Repubblica


