Ishte i shpallur në kërkim, dorëzohet ish-zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi

Kosovë&Rajon

Ishte i shpallur në kërkim, dorëzohet

Ish-zëvendëskryeministri i parë i Republika e Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, është paraqitur vullnetarisht mëngjesin e sotëm në pikën kufitare Bllacë, në hyrje nga Kosova. Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ndaj tij ishte në fuqi masa “Arresto”, prandaj ai u privua menjëherë nga liria.

Sipas policisë, Grubi është paraqitur rreth orës 06:10 dhe më pas është dërguar në mbajtje për procedura të mëtejshme. Autoritetet nuk kanë dhënë detaje shtesë lidhur me fazën aktuale të procedimit penal.

“Në datën 23.02.2026, në ora 06:10, në hyrje të Republikës së Maqedonisë së Veriut në vendkalimin kufitar Bllacë, u paraqit Artan Grubi, i lindur më 07.06.1977, për të cilin ishte aktive masa ‘Arresto’. Personi është privuar nga liria për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Grubi është i përfshirë në një hetim që lidhet me dyshime për keqpërdorim të pozitës zyrtare, korrupsion dhe shkelje të procedurave të prokurimit publik, në kuadër të rastit që ka të bëjë me funksionimin dhe kontratat e Lotaria Shtetërore e Maqedonisë së Veriut.

Sipas organeve të ndjekjes, hetimet kanë të bëjnë me vendime dhe kontrata që dyshohet se i kanë shkaktuar institucionit dëme financiare të konsiderueshme, të vlerësuara në rreth 500 milionë denarë (mbi 8 milionë euro). Prokuroria pretendon se përmes procedurave të kontestuara janë favorizuar subjekte të caktuara ekonomike.

Më herët, gjykata kishte caktuar masë paraburgimi ndaj tij, ndërsa autoritetet e kishin shpallur në kërkim për shkak të mosparaqitjes para organeve të drejtësisë.

ME TE LEXUARAT