“Mali i Zi drejt integrimit në BE”, Marta Kos: vendimi pas progresit të qartë dhe përshpejtimit të reformave

Komisionerja për Zgjerimin e Bashkimit Evropian, Marta Kos, ka reaguar pas vendimit të shteteve anëtare për të nisur hartimin e Traktatit të Anëtarësimit të Malit të Zi në BE, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm në rrugën e vendit drejt integrimit evropian.
Në një postim në rrjetin social “X”, Kos theksoi se procesi i anëtarësimit të Malit të Zi po merr formë konkrete dhe se vendimi i fundit përbën një njohje të qartë të progresit të arritur nga ky vend në reformat e tij.
Sipas saj, nisja e hartimit të traktatit është një moment i rëndësishëm për integrimin evropian të Malit të Zi dhe njëkohësisht një inkurajim për autoritetet vendase që të përshpejtojnë më tej reformat e nevojshme.
“Vendi i Malit të Zi brenda BE-së tani po merr formë”, ka shkruar Marta Kos, duke theksuar angazhimin e vazhdueshëm të Bashkimit Evropian për procesin e zgjerimit.
Vendimi i fundit konsiderohet një hap i rëndësishëm procedural drejt finalizimit të anëtarësimit të plotë të Malit të Zi në Bashkimin Evropian.


