Nga sot,ndalohet pagesa ‘cash’ mbi 2 mijë euro! Administrata Tatimore paralajmëron gjoba për shkelësit

Paratë “cash” mbi 2 mijë euro nuk do të qarkullojnë më lirshëm në Kosovë.
Nga sot, çdo pagesë që kalon këtë shumë duhet të kryhet vetëm përmes bankave ose formave elektronike, duke i dhënë fund transaksioneve të mëdha me para në dorë ndërmjet bizneseve dhe qytetarëve.
Administrata Tatimore e Kosovës ka paralajmëruar se mosrespektimi i këtij rregulli do të shoqërohet me gjoba.
Sipas njoftimit, të gjitha transaksionet që e kalojnë këtë shumë duhet të realizohen vetëm përmes sistemit bankar ose formave të tjera elektronike të pagesës
“Nga 1 qershori 2026, pagesat mbi 2,000€ ndërmjet bizneseve dhe individëve nuk lejohen të kryhen me para gatshme dhe duhet të realizohen vetëm përmes sistemit bankar ose formave të tjera elektronike të pagesës. Respektoni kufizimin e përcaktuar me ligj dhe shmangni gjobat. Mos paguani cash mbi limitin e lejuar”, thuhet në njoftimin e ATK-së.
Edhe Banka Qendrore e Kosovës kishte vlerësuar se ekonomia joformale ndikon drejtpërdrejt në rritjen e përdorimit të parasë së gatshme, pasi që bizneset informale preferojnë transaksione të pagjurmueshme për t’i shmangur detyrimet fiskale.
“Të dhënat e vitit të kaluar tregojnë se vërehet një tendencë pozitive e rritjes së transaksioneve përmes kanaleve digjitale. Megjithatë, sfidë mbetet mungesa e besimit dhe edukimit financiar”.
Për këtë arsye, BQK-ja thotë se synon forcimin e sigurisë dhe besimit në sistemet e pagesave, si dhe zgjerimin e përdorimit të pagesave digjitale.
Instituti Riinvest në vazhdimësi përcjell nivelin e informalitetit përmes anketimit të bizneseve. Në raportin “Zhvillimet ekonomike: Kërcënimet nga kriza institucionale”, publikuar në nëntor të vitit të kaluar, thuhet se informaliteti në Kosovë sillet nga 30 deri në 35 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Në Kosovë operojnë dhjetë banka komerciale. Numri i kartelave debit në vitin 2024 kishte arritur në 1.4 milion, kurse i kartelave të kreditit në rreth 195 mijë.
Në nivel vendi janë 635 bankomatë [aparate bankare për tërheqje të parave], dhe 20.913 terminale POS, ku qytetarët mund të bëjnë pagesa me kartelë në dyqane.


