Ekzekutimi i çiftit Mujeci në Lezhë/ Shpallet në kërkim një tjetër person i dyshuar për përfshirje në atentat (Emri)

Policia e Lezhës ka sekuestruar automjetin e përdorur në atentatin ku u ekzekutuan bashkëshortët Mujeci në Balldren.
Sipas hetimeve, mjeti tip “Volkswagen Polo”, pa targa dhe i marrë me qira në Rinas, u gjet i fshehur në një banesën e e Besnik Kolndreut në Torovicë. Brenda tij u zbuluan edhe prova të tjera materiale, përfshirë gëzhoja dhe veshje të dyshuara si të përdorura nga autorët gjatë krimit.
Nga veprimet hetimore rezulton se automjeti është përdorur për të kryer atentatin dhe më pas është fshehur për të humbur gjurmët.
Në vijim të hetimeve, Policia ka shpallur në kërkim 22-vjeçarin Besnik Kolndreun i dyshuar për përfshirje në vrasje dhe armëmbajtje pa leje. Gjithashtu, është proceduar penalisht edhe babai i tij, 79 vjeç.
Hetimet dhe kërkimet për kapjen e autorëve të tjerë vijojnë.
Njoftimi i policisë:
Në vijim të veprimeve intensive hetimore dhe operacionale, që janë kryer dhe vijojnë të kryhen nga grupi i posaçëm hetimor, për sigurimin e provave, me qëllim dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes së ndodhur më datë 26.04.2026, në fshatin Balldren, Lezhë, ku u vranë me armë zjarri, shtetasit K. M. dhe G. M., bashkëshortë, mesditën e sotme, në fshatin Torovicë, në banesën e shtetasit B. K., shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar automjetin tip “Volkswagen Polo”, pa targa, të përdorur nga autorët.
Gjatë kontrollit në brendësi të automjetit, grupi hetimor gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale, 2 gëzhoja model 56, dhe nga këqyrja, rezultoi se automjeti ka të thyer xhamin e pasmë dhe trekëndëshat anësorë të dyerve.
Gjithashtu, në oborrin e banesës së shtetasit Besnik Kolndreu, u gjet një automjet identik me automjetin e parë, në pronësi të shtetasit Besnik Kolndreu, por me targa.
Më tej, gjatë kontrollit, u gjetën dhe veshjet e përdorura nga autorët, në momentin e kryerjes së krimit.
Nga veprimet hetimore rezultoi se shtetasi F. M. ka marrë automjetin tip “Volkswagen Polo” (të cilin motra e tij e kishte marrë me qira, në Rinas), i ka hequr targat dhe në bashkëpunim me njërin nga 2 shtetasit e shpallur në kërkim, e kanë përdorur për t’i prerë rrugën dhe për të qëlluar në drejtim të automjetit me të cilin lëviznin shtetasit K. M. dhe G. M.. Pas krimit, e ka çuar automjetin, në banesën e shtetasit Besnik Kolndreu, dhe e ka fshehur duke e mbuluar me bar, me qëllim humbjen e gjurmëve, gjithashtu me pretendimin se automjetin e tij, shtetasi B. K. e kishte identik dhe të rregullt.
Në vijim të veprimeve, u shpall në kërkim shtetasi Besnik Kolndreu, 22 vjeç, banues në fshatin Torovicë, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori, për babanë e 22-vjeçarit, shtetasin N. K., 79 vjeç, banues në fshatin Torovicë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Ndërkohë, shërbimet e Policisë vijojnë kërkimet në terren, për lokalizmin dhe kapjen e autorëve, si dhe të shtetasit të shpallur në kërkim mesditën e sotme.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Lezhës, për veprime të mëtejshme.


