Vendimi i Apelit për masën ndaj Ballukut, ende pa rekurs në Gjykatën e Lartë, avokatët: Gjykata e ka printuar keq...

Dhjetë ditë mbas dorëzimit të vendimit të zbardhur të masave të apelit ndaj zv.kryeministres Belinda Balluku, dhe drejtorëve Gentian Gjyli dhe Erald Elezi, të akuzuarit nuk kanë dorëzuar ende rekurs kundërshtues në Gjykatën e Lartë.
Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha kontaktoi secilin nga avokatët e të dyshuarve të cilët thanë se do t’i drejtohen me kërkesë gjyqtares së Apelit të Posaçëm që t’u ridërgojë kopje të këtij vendimi.
“Vendimi lexohet me shumë vështirësi sepse është printuar në eco mode”, pohoi për gazetaren Hoxha avokati Julian Mërtiri i cili përfaqëson interesat e Erald Elezit. Të njëjtin shqetësim pohuan në telefon edhe dy avokatët e tjerë përkatësisht Andi Skënderi dhe Ardian Kalia që shtuan se kanë kërkuar gjatë këtyre ditëve që vendimi të printohet si duhet për të lexuar qartë.
Në këtë vendim argumentohet se përse u la në fuqi masa e ndalimit për të dalë jashtë Shqipërisë ndaj zv/kryeministres Belinda Balluku, një vendimmarrje që iu dorëzua më 30 dhjetor avokatëve dhe mbrojtësve, si dhe dy zyrtarëve të tjerë që janë nën arrest shtëpiak.
Sipas burimeve, gjyqtarja Miliana Muça arsyeton në verdiktin që e shpalli në datën 18 dhjetor se ekziston rreziku që zv/kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës, Balluku, t’i shmanget drejtësisë, dhe kjo duke u bazuar te marzhi i dënimit që parashikon akuza e komunikuar funksionares. Duke u mbështetur në këtë shpjegim ligjor, që e lidh të pandehurën Balluku me veprën e shkeljes së barazisë në tendera, gjyqtarja konsideron se për këtë arsye funksionares duhet t’i mbahet e bllokuar pasaporta.
Me lënien në fuqi të vendimit të kolegut Erjon Çela, gjyqtarja e Apelit të Posaçëm shpjegon se për pezullimin nga detyra të zv/kryeministres nuk mund të shprehet, për sa kohë çështja është nën shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese. Pezullimi i shqyrtimit gjyqësor të kësaj kërkese mbi pikën nëse mbetet apo jo në fuqi masa e pezullimit nga detyra zgjat deri në zgjidhjen me një vendim përfundimtar nga Gjykata Kushtetuese, e cila nga ana tjetër del në seancë plenare në 22 janar 2026.


