Arqilea Koça zgjidhet Zëvendësprokuror i Përgjithshëm

Aktualitet

Arqilea Koça zgjidhet Zëvendësprokuror i Përgjithshëm

Arqilea Koça zgjidhet Zëvendësprokurori i ri i Përgjithshëm.

Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela emëroi Koçën pasi mori edhe mendimin e prokurorëve në Prokurorinë e Përgjithshme në mbledhjen përkatëse.

Koça drejton Drejtorinë Gjyqësore në Prokurorinë e Përgjithshme dhe është emëruar si prokuror në këtë institucion nga viti 1994, duke kontribuar në të gjitha aspektet e aktivitetit të institucionit si dhe duke drejtuar sektorë e drejtori të ndryshme.

Me një eksperiencë 30-vjeçare, Koça e ka nisur karrierën në sistemin e Prokurorisë Shqiptare në vitin 1989 si prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Korçë, ka drejtuar Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Devoll deri në vitin 1994, kohë kur u emërua në Prokurorinë e Përgjithshme.

Ai është diplomuar si jurist në Fakultetin e Shkencave Politike-Juridike, Dega Drejtësi, Universiteti i Tiranës në periudhën 1985-1989 dhe ka titullin “Master”.

Ai ka qenë gjithashtu pedagog i jashtëm në Fakultetin e Drejtësisë (Universiteti i Tiranës), në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti “Luarasi”, Shkollën e Magjistraturës si dhe ekspert i trajnimit vazhdues në këtë të fundit.

Koça është autor i disa monografive dhe manualeve kryesisht në fushën e trafikimit të qenieve njerëzore dhe krimit kibernetik.

 

ME TE LEXUARAT