SPAK thellon hetimet për Ballukun, kontrolle në disa biznese të lidhura me tenderët e Unazës së Madhe

Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka vijuar edhe gjatë ditës së sotme hetimet në kuadër të çështjes që lidhet me zv. kryeministren Belinda Balluku.
Burime bëjnë me dije se hetuesit kanë ushtruar kontrolle dhe kanë kryer sekuestrime dokumentesh në disa subjekte private, të cilat dyshohet se janë të përfshira në procedurat e tenderimit për lotet e projektit të Unazës së Madhe të Tiranës.
Gjithashtu raportohet se SPAK ka kryer kontrolle në banesën dhe zyrën e Arbër Abazit, i cili ka edhe lidhje familjare me Ballukun, pasi bashkëjeton me vajzën e tezes së zv/kryeministres.
Deri më tani, SPAK nuk ka dhënë një njoftim zyrtar mbi rezultatet e kontrolleve apo nëse ka persona të shoqëruar apo masa konkrete sigurie.
Kujtojmë që Prokuroria e Posaçme ka paraqitur një kërkesë në Kuvend, ku kërkon heqjen e imunitetit të Ballukut, për t’i hapur rrugë kështu arrestimit të saj./ BalkanWeb


