Vizita në Spanjë dhe Melonin/ Rama në 'Flasim': Marrëdhëniet me Italinë më të forta se kurrë, biznesi i huaj rrit interesin

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë podcastit “Flasim”, foli për vizitat e fundit jashtë vendit dhe marrëdhëniet e Shqipërisë me partnerët ndërkombëtarë.
Ai tregoi për takimin në Romë me kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, ku është diskutuar për projektet e përbashkëta dhe për një fazë të re të bashkëpunimit mes dy vendeve.
Sipas tij, marrëdhëniet me Italinë janë forcuar ndjeshëm dhe kanë hyrë në një nivel më të avancuar, edhe përmes marrëveshjeve strategjike.
Pas kësaj vizite, Rama mori pjesë edhe në një samit në Barcelona, ku u diskutua për mbrojtjen e demokracisë. Ai tha se gjatë këtij takimi është vënë re një rritje e respektit për Shqipërinë, përfshirë edhe interesin nga bizneset e huaja.
Në fjalën e tij, kryeministri u ndal edhe te imazhi i vendit, duke thënë se Shqipëria po shihet gjithnjë e më shumë si një destinacion i preferuar dhe se marrëdhëniet me shtetet e tjera janë në një moment shumë të mirë.
Sipas tij, Shqipëria sot ka një vlerësim më të madh në arenën ndërkombëtare krahasuar me vitet e mëparshme.
FJALA E KRYEMINISTRIT:
“Në Romë ku u takova me kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni. Ishte një moment për të bërë bilanc të ecurisë së projekteve të përbashkëta, për të konfirmuar fazën e re të marrëdhënieve tona. Qeveritë italiane kanë qenë të gatshme, por me qeverinë aktuale të Italisë, gjërat kanë shkuar në nivel tjetër. Edhe firmosja e marrëveshjes strategjike, është pasqyra më kuptimplotë, e faktit se marrëdhënia ka marrë ngjyrë të re përmes bashkëpunimi strategjik. Pas Romës, pata vizitë në Barcelonë, mora pjesë në tryezën e përbashkët të samitit, në mbrojtje të demokracisë. U pa qartë një nivel i ri respektit për Shqipërinë, edhe nga biznesi i atij vendi. Sot, Shqipëria është kthyer në një nga destinacionet e preferuara, marrëdhëniet shtetërore nuk kanë qenë asnjë herë më mirë sesa sot. Shqipëria është e respektuar dhe e vlerësuar”


