Çfarë po ndodh me Hatin? Akuza për imazhe të manipuluara me AI, nis hetimi.

Influencerja Hatixhe Brika, e njohur për publikun si Hati, është përfshirë në një situatë shqetësuese që lidhet me përdorimin e rrjeteve sociale dhe inteligjencës artificiale.
Ajo i është drejtuar Policisë së Tiranës, duke bërë kallëzim për shpërndarjen e disa pamjeve në internet, të cilat pretendon se janë krijuar pa miratimin e saj përmes AI.
Sipas deklarimit të saj, materialet që qarkullojnë online cenojnë imazhin dhe reputacionin e saj, duke qenë të manipuluara dhe jo reale.

Në një njoftim zyrtar, Policia bëri me dije se kallëzimi është depozituar nga vetë Brika, e cila ka denoncuar një llogari false në rrjete sociale që publikonte përmbajtje fyese ndaj saj. Autoritetet kanë nisur menjëherë punën për identifikimin dhe kapjen e personave përgjegjës.
“Dje, kallëzoi shtetasja H. B., se në një llogari false në rrjete sociale, bëheshin postime fyese për të. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve të rastit,” thuhet në reagimin e policisë.
Ndërkohë, vetë Hati ka reaguar edhe publikisht në rrjetet sociale, duke konfirmuar kallëzimin dhe paralajmëruar se personat përgjegjës do të përballen me pasojat ligjore.