Mira Konçi rikthehet në Shqipëri? Këngëtarja bën rrëfimin e rrallë: Babi 10 vite në koma, kujdesesha si për një foshnjë

Showbiz

Mira Konçi rikthehet në Shqipëri? Këngëtarja bën

Në historinë e muzikës moderne shqiptare, zëri i Mira Konçit mbetet një nga më të pastrit dhe më të dashurit. Dy herë fituese e Festivali i Këngës në RTSH, në vitin 1994 me baladën “Të sotmen jeto” dhe në vitin 2002 me “Brenda vetes më merr”, ajo u kthye në një nga figurat më të pëlqyera të muzikës shqiptare.

Me elegancën, ndjeshmërinë dhe timbrin e veçantë, Mira vazhdon të mbetet e dashur për publikun, edhe pas zhvendosjes së saj në SHBA.

E ftuar sot në emisionin “Mes’dritë”, në Vizion Plus, me dyshen e moderatorëve Alma Çelaj dhe Syrjan Rahova, Mira Konçi ka ndarë episode të veçanta të jetës së saj, që publiku ka qenë larg.

Këngëtarja ka ndarë një nga rrëfimet më të ndjera të jetës së saj, duke folur për marrëdhënien e veçantë me të atin dhe periudhën e vështirë të 10 viteve që ai kaloi në koma.

“Ka qenë njeriu më nobël që mund të ekzistojë. Më i butë, më tolerant, më i bukur në shpirt. Sa herë që vija në shtëpi, trokiste duart dhe thoshte: Artistja e babit. Edhe kur më shihte të shqetësuar, më pyeste ‘Çfarë ke?’. Më ndjente pa folur shumë. Ishte jashtëzakonisht i ndjeshëm.

Nuk kam folur gjithmonë me të për gjërat e mia personale, por e dija që për të isha në majat më të larta. E ndjeja dashurinë e tij pa pasur nevojë për shumë fjalë.
Kur ai ra në koma, për 10 vite kujdesi ishte absolut. Mami ishte 24 orë pranë tij. U kthye në infermiere, në doktoreshë, në gjithçka. Ne të tre fëmijët ishim aty. Ishte si të kishim një fëmijë të vogël në inkubator. Kujdesi ishte maksimal, deri në detaje që edhe mjekët çuditeshin.

Muzika nuk mungonte asnjëherë. I vendosnim këngë italiane, por edhe këngët e mia. Edhe në momentet më të vështira, muzika vazhdonte. Për mua babai ka qenë shok, ka qenë mrekulli. Edhe kur do të dilja diku, më thoshte: ‘Të vij dhe unë me ty, të rri te makina e ta ruaj.’ I thosha: ‘Ti je princi im, si mund të ruash makinën time“, shprehet Mira Konçi.

Përsa i përket rikthimit në Shqipëri, Mira nuk e mohoi si mundësi. “E kemi menduar rikthimin në Shqipëri. Edhe mund të ndodh, është në planet e mia“, tha ajo./ORA

ME TE LEXUARAT