Pas 21 vitesh, ylli i muzikës mposht kancerin e gjirit për herë të dytë: Kisha një sekret që ...

Ylli i muzikës pop, Kylie Minogue, ka zbuluar se në fillim të vitit 2021 iu rikthye kanceri për herë të dytë, shumë vite pas betejës së parë me sëmundjen në vitin 2005, kur ajo ishte vetëm 36 vjeçe.
57-vjeçarja ka folur për herë të parë hapur rreth kësaj përvoje të vështirë në një dokumentar të ri të Netflix-it me titull “Kylie”, i cili publikohet së fundmi dhe sjell detaje intime nga jeta e saj personale dhe artistike.
“Diagnoza ime e dytë me kancer ishte në fillim të vitit 2021. Arrita ta mbaja për vete… Jo si herën e parë. Fatmirësisht, ia dola mbanë. Përsëri. Dhe gjithçka është mirë. Kush e di çfarë më pret, por muzika pop më ushqen… pasioni im për muzikën është më i madh se kurrë”, ka treguar këngëtarja e njohur.
Minogue rrëfen se pas trajtimit e pati të vështirë të gjente momentin e duhur për ta ndarë historinë e saj me publikun, edhe pse ndërkohë përjetoi një nga sukseset më të mëdha të karrierës me këngën fituese të çmimit Grammy në vitin 2023, “Padam Padam”.
“Nuk ndihem e detyruar t’ia tregoj botës, dhe në fakt në atë kohë thjesht nuk munda… isha thjesht e lodhur. Në një moment nuk doja të largohesha përsëri nga shtëpia”, ka rrëfyer ajo, duke treguar anën e errët të kësaj periudhe.
Sipas saj, kënga “Padam Padam” i hapi shumë dyer profesionalisht, por brenda vetes ajo e dinte se beteja me kancerin nuk ishte një episod i izoluar, por një pjesë e rëndësishme e jetës së saj që duhej përballuar në heshtje.
Këngëtarja shton se kënga e vitit 2023 “Story”, nga albumi “Tension”, është një reflektim i drejtpërdrejtë i asaj periudhe të vështirë, me vargje që flasin për sekretet e mbajtura brenda vetes dhe për procesin e shërimit emocional.
“Kisha nevojë të kisha diçka që të shënonte atë kohë”, ka thënë ajo, duke e përshkruar muzikën si mënyrën e saj për të mbyllur një kapitull të dhimbshëm dhe për të ecur përpara.


