Bashkia e Tiranës zgjeron programin e mbështetjes sociale, Anuela Ristnai: 1500 kredi të buta për familjet dhe çiftet e reja

Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi sot 1,500 kuota të reja për të mbështetur me kredi të buta familjet në kryeqytet. Gjatë fjalës së saj në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, Kryetarja e Deleguar e Bashkia e Tiranës, Anuela Ristani, deklaroi se, pas trendit në rritje të qytetarëve që kërkojnë të bëhen pjesë e programit social, është parashikuar mbulimi i kuotave të reja me fondet e bashkisë.
“Gjatë thirrjes për aplikime të realizuar për vitin 2025, u shpallën fitues 1,231 individë apo familje, me fondet e buxhetit të shtetit. Bashkia e Tiranës, duke konsideruar trendin në rritje të kërkesave për programin social të ‘Subvencionimit të Interesave të Kredisë’, ka planifikuar në programin buxhetor afatmesëm 2026–2028 mbulimin e 1,500 kuotave të reja me fondet e saj”, deklaroi Ristani.
Ajo sqaroi se kategoritë që do të përfitojnë nga mbështetja me kredi të butë përfshijnë familjet që nuk kanë një banesë në pronësi dhe që nuk e përballojnë normën e interesit të tregut për blerjen e një banese.
“Programi i subvencionimit të interesave të kredisë mbështet familjet dhe individët që: nuk kanë banesë në pronësi ose zotërojnë sipërfaqe nën normat e strehimit; nuk kanë kryer tjetërsim prone në 5 vitet e fundit (përveç rasteve të forcës madhore); dhe ata që nuk përballojnë normën e interesit të tregut për blerjen e një banese”, u shpreh Kryetarja e Deleguar e Bashkisë së Tiranës.
Duke u ndalur te ky projektvendim, Ristani shtoi se miratimi i tij ka për qëllim rritjen e aksesit në pronësi për familjet e reja dhe forcimin e rolit të Bashkisë së Tiranës si aktor aktiv në politikat sociale.
“Ky projektvendim rrit aksesin në pronësi për familjet e reja, ul barrën financiare të interesit bankar, ndihmon stabilitetin social dhe demografik, si edhe forcon rolin e Bashkisë së Tiranës si aktor aktiv në politikat sociale”, përfundoi Ristani.
Faza e aplikimit për individët që kërkojnë mbështetje me kredi të butë
Faza I
– Aplikimi elektronik përmes portalit “e-Albania”
– Afati: 30 ditë
– Shpallja publike e listave
Faza II
– Dorëzimi i dokumentacionit
– Dorëzim fizik ose me postë
– Verifikim administrativ (30 ditë)
– Shqyrtim nga Komisioni i Strehimit (45 ditë)
Parashikohet e drejta e ankimimit në çdo fazë, duke garantuar një proces të rregullt administrativ.


