Bypass-i nuk e shpëton juglindjen! Aks provizor në Shkumbin, por pa afat për rikthimin e normalitetit

Juglindja e vendit vijon të mbetet e bllokuar për shkak të shembjes së aksit Librazhd–Prrenjas në zonën e quajtur “Arrat e Gurrës”. Autoriteti Rrugor Shqiptar ka nisur punën për ndërtimin e një bypass-i provizor rreth 1.3 kilometra përgjatë lumit Shkumbin. Ndërkohë, qarkullimi vijon me vështirësi në akse alternative, duke sjellë rritje të kostove të transportit dhe çmimeve të produkteve, duke ndikaur drejtpërdrejt në turizmin dhe ekonominë e zonës.
Juglindja ndodhet tashmë prej gati një jave e bllokuar, për shkak të shembjes së aksit Librazhd-Prrenjas, në vendin e quajtur “Arrat e Gurrës”.
Si pasojë e situatë së krijuar, Autoriteti Rrugor Shqiptar njofton se po punohet për krijimin e një bypass-i provizor rreth 1.3 kilometra në lumë.
Mjetet e rënda kanë nisur punimet për sistemimin e rrjedhës së lumit Shkumbin, për të krijuar hapësirën e nevojshme për ndërtimin e një rruge alternative përgjatë linjës hekurudhore.
Po punohet edhe për heqjen e masave të dherave në të dy anët e rrugës ekzistuese, me qëllim hapjen e terrenit ku do të vendosen sondat për realizimin e studimit të detajuar gjeologjik dhe vlerësimin teknik të zonës së prekur.
Përfundimi i studimit gjeologjik do të sjellë edhe ripunimin e projektit të zbatimit për këtë aks rrugor, dhe mundësinë për ndryshimin e trajektores së tij.

Momentalisht kalimi më vështirësi bëhet në akset alternative nga fshatrat e Librazhdit, nga aksi Maliq – Lozhan– Gramsh – Elbasan, si dhe aksi Qafë Thanë – Pogradec – Korçë – Përmet – Tepelenë, ndërsa për mjetet e rënda përdoret Qafë Thanë – Maqedoni – Bllatë - Rruga e Arbërit.
Për shkak të rritjes së kostove dhe vështirësive të udhëtimit, mjetet e transportit publik që përdorin këto itinerare alternative për juglindjen kanë rritur çmimet e biletave.
Një fenomen i tillë është vënë re edhe tek produktet ushqimore ku raportohet rritje çmimesh nga 20 deri në 50%. Tregtarët shprehen se mungesa e mallrave dhe kostot më të larta të transportit po reflektohen drejtpërdrejt te xhepat e qytetarëve.
Në një reaksion zinxhir, bllokimin e rrugës e ka ndier edhe turizmi, ku Korça, Dardha dhe Pogradeci janë boshatisur nga vizitorët e fundjavës, teksa bizneset e hotelerisë dhe restoranteve raportojnë mungesë rezervimesh.
Pavarësisht punimeve për një bypass përgjatë lumit Shkumbin, akoma nuk ka një afat konkret për hapjen e këtij aksi provizor dhe rikthimin e qarkullimit normal drejt qyteteve të Juglindjes./ORA


