Dita e KIJAMETIT në Kuran, a parashikohet lufta që po ndodh? Teologu zbulon çfarë shkruhet
Teologu Justinian Topulli ishte i ftuar sot në emisionin “Breaking”, ku foli në lidhje me teoritë që kanë dalë se përplasjet që po ndodhin në Lindjen e Mesme janë parashikuar nga shkrimet e shenjta në Kuran.
Teologu e hodhi poshtë këtë teori teksa tha që ka shkrime ku flitet për luftëra dhe kasaphana, por jo të gjitha detajet e përmendura në këto shkrime të shenja janë plotësuar dhe rrjedhimisht, kjo tregon që nuk ka lidhje me ngjarjet që po ndodhin aktualisht. Sipas teologut, këto teori shpërndahen nga padija.
“Njerëzit kërkojnë që tekstet fetare t’i zbresin në një realitet të caktuar. Sigurisht në Kuran ka thënie të Profetit që flasin për ngjarjet e fundit, por ato duhen parë në një panoramë shumë më të gjerë, në një tekst më të gjerë dhe nuk mund të shkëputen nga konteksti dhe të vendosen apo të interpretohen.
Kjo gjë ka ndodhur edhe më parë, edhe para 10 vitesh, edhe para 20 vitesh, e njëjta gjë dhe kjo është pak qesharake sepse e vendosin tekstin fetar në lojën e ngjarjeve që ndodhin në realitet. Pra shpesh herë janë abuzime.
Kurani nuk flet drejtpërdrejt për këto lloj ngjarjesh. Kurani merret me marrëdhënien e njeriut me Zotin, flet për botën tjetër dhe për Ditën e Kiametit, një shkatërrim global që do vijë nga dora e zotit jo nga vepra njerëzore. Por këto duhen parë më gjerë pasi ajo thënie ka dhe ndodhi të tjera që nuk plotësohen në këtë skenar që po ndodh.
Pa u plotësuar të gjitha, nuk mund të themi se kjo është parashikuar. Kjo vjen edhe nga dëshira për të provuar që feja është e vërtetë por më shumë vjen nga padija.”– tha ai.