Grupi 4iG emëron Tamás Tábori si CEO interim të ONE Albania
Tamás Tábori, Zëvendës CEO i Grupit 4iG për Strategjinë e Telekomunikacionit, do të jetë drejtor ekzekutiv interim i One Albania, duke filluar nga 20 qershor 2025. Ish-CEO i kompanisë Brano Djurovic do të vazhdojë karrierën e tij në degën e 4iG-së në Maqedoninë e Veriut, ku do të mbajë detyrën e drejtorit ekzekutiv.
Me një karrierë të konsoliduar në lidership dhe inovacion, Tábori sjell një përvojë të pasur që do të udhëheqë One Albania drejt një faze të re rritjeje dhe transformimi. Vendosja e tij në krye të liderit shqiptar të telekomunikacionit do të sigurojë një proces të qëndrueshëm vendimmarrjeje, në përputhje me prioritetet e Grupit 4iG.
Tábori iu bashkua Grupit 4iG në vitin 2022 si CEO i kompanisë së telekomunikacionit DIGI, dhe në shkurt të 2023 ai u pozicionua si zëvendës CEO i One Hungary (në atë kohë i njohur si Vodafone Hungary), ku mbikëqyri integrimin e njësive të biznesit për klientët e të dy kompanive.
Në korrik 2024, ai u emërua zëvendës drejtor ekzekutiv përgjegjës për strategjinë e telekomunikacionit në 4iG. Më parë, ai ka punuar në Vodafone Hungary dhe në filialet hungareze të Deutsche Telekom, T-Systems dhe Magyar Telekom. Gjatë karrierës së tij, CEO i ri i One Albania ka fituar përvoja te gjerë në industri përmes pozicioneve të ndryshme drejtuese.
Ndërkohë, Brano Djurovic është emëruar drejtues ekzekutiv i kompanisë së re të Grupit 4iG, ONE Macedonia Telecommunications DOOEL. Djurovic mori drejtimin e One Albania në vitin 2023. Nën udhëheqjen e tij, One Albania ka forcuar pozicionin në treg dhe ka nxitur një kulturë integriteti dhe pune të palodhur për të arritur rezultate maksimale.
Grupi 4iG është grupi kryesor i telekomunikacionit dhe info-komunikimit në Hungari, me prezencë të fortë në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Pas disa blerjeve të suksesshme në Shqipëri dhe Mal të Zi, Grupi 4iG ka hyrë në tregun maqedonas, duke e kthyer Ballkanin Perëndimor në një rajon kyç për investimet e tij.
Fokusi i 4iG-së në këtë rajon përputhet me strategjinë e tij të zgjerimit në sektorin e telekomunikacionit dhe kontributit në transformimin digjital të rajonit.