Durrësi në zi pas aksidentit tragjik me dy fëmijë të vdekur/ Protestë në heshtje para Bashkisë: Merrni masa

Të afërm të viktimave dhe banorë të zonës ku ndodhi aksidenti tragjik në Durrës u mblodhën mbrëmjen e sotme përpara godinës së Bashkisë në një protestë të heshtur, në kujtim të dy fëmijëve që humbën jetën.
Pjesëmarrësit, shumica të rinj të veshur me të zeza, ndezën qirinj në shkallët e institucionit si shenjë homazhi për jetët e humbura dhe si thirrje për më shumë siguri në zonat e banuara.
Tubimi u zhvillua pa deklarata për mediat, ndërsa heshtja u përdor si formë proteste ndaj institucioneve vendore për mungesën e masave të sigurisë.
Për disa minuta u bllokua edhe qarkullimi në rrugën qendrore të qytetit.
Ky reagim vjen pas një tjetër akti simbolik gjatë paradites, kur pranë Drejtorisë së Policisë Durrës u vendos një kurorë me lule me mesazhin: “Merrni masa”.
Banorët dhe familjarët, ende të tronditur nga ngjarja, kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga pushteti vendor dhe policia për rritjen e sigurisë dhe përmirësimin e infrastrukturës në lagje, me qëllim parandalimin e aksidenteve të tilla.
Një marshim tjetër, më i madh, është paralajmëruar për pasditen e nesërme.
Ngjarja tragjike ndodhi kur Nikoll Radaçi, i cili dyshohet se drejtonte automjetin në gjendje të dehur, përplasi tre fëmijë që po luanin në trotuar.
Si pasojë humbën jetën në vendngjarje Kles Nikolli, 9 vjeç dhe Enea Muçaj, 12 vjeç, ndërsa Arbjon Meslani, 8 vjeç, ndodhet i shtruar në Spitalin e Traumës në Tiranë. Automjeti u përplas edhe me një mjet tjetër të parkuar para se të ndalonte.


