Papa Leo XIV i përgjigjet Trump: Kisha kundër çdo arme bërthamore, mesazhi ynë është paqja

Papa Leo XIV ka reaguar sërish ndaj deklaratave të Donald Trump, i cili e ka kritikuar për qëndrimin e tij mbi armët bërthamore.
Gjatë një takimi me gazetarët jashtë rezidencës së tij në Castel Gandolfo, Papa theksoi se misioni i Kishës mbetet i pandryshuar. “Misioni i Kishës është të shpallë Ungjillin dhe të predikojë paqen. Nëse dikush dëshiron të më kritikojë për këtë, le ta bëjë duke u bazuar në të vërtetën,” u shpreh ai.
Leo XIV nënvizoi se qëndrimi i Kishës kundër armëve bërthamore është i qartë dhe i kahershëm. “Kisha ka qenë kundër të gjitha armëve bërthamore për vite me radhë, kështu që nuk ka asnjë paqartësi në këtë drejtim,” deklaroi ai, duke hedhur poshtë pretendimet e Trump se Papa mbështet mundësinë që Irani të zotërojë armë të tilla.
Në përfundim, Papa shtoi se shpreson që mesazhi i tij të dëgjohet për shkak të vlerës së fjalës së Zotit, duke rikujtuar se qëndrimi i tij ka qenë i qartë që prej momentit kur mori detyrën.


