I riu shpëton lejlekun e sëmurë dhe e rikthen në Lagunën e Nartës

Një histori e bukur njerëzore dhe një akt i rrallë mirësie ka rikthyer vëmendjen te kujdesi për natyrën dhe faunën e vendit.
Ngjarja ka ndodhur pak ditë më parë në një fshat të Fierit, ku një qytetar gjeti një lejlek të bardhë në gjendje të rënduar shëndetësore. Sipas tij, shpendi ishte i pafuqishëm për të fluturuar dhe rrezikonte të ngordhte nëse nuk do të ndërhyhej në kohë.
Pa hezituar, qytetari vendosi ta marrë nën kujdes, duke i siguruar ushqim dhe trajtimin e nevojshëm derisa lejleku të rifitonte fuqinë.
Pas disa ditësh përkujdesjeje, sot erdhi edhe momenti më i bukur: rikthimi i tij në natyrë.
Në videon e dërguar në redaksi shihet momenti kur qytetari udhëton drejt Lagunës së Nartës në Vlorë, një nga habitatet më të rëndësishme për shpendët shtegtarë në Shqipëri.
Me kujdes, ai e nxjerr lejlekun nga kutia dhe e lëshon pranë ujërave të lagunës. Në fillim shpendi duket i rezervuar, por më pas rreh krahët dhe ulet qetësisht mbi ujë, duke nisur kështu një “jetë të dytë”.
“Para disa ditësh e gjetëm të sëmurë në një fshat të Fierit. U kujdesëm për të dhe sot e lëshuam në Lagunën e Nartës në Vlorë”, shprehet qytetari.
Lejleku i bardhë është një specie e mbrojtur dhe prania e tij konsiderohet tregues i një mjedisi të shëndetshëm. Ky gjest shërben si një shembull pozitiv dhe një apel për të gjithë që të tregojnë kujdes ndaj kafshëve dhe shpendëve që hasin në vështirësi.
Një veprim i thjeshtë, por me shumë vlerë, që tregon se humanizmi dhe dashuria për natyrën ende ekzistojnë./ORA


