“Zbulohet bunkeri nën sallën e ballove të Donald Trump, shpërthejnë reagimet në rrjet: ‘Si Hitleri me strehën sekrete

Bota

“Zbulohet bunkeri nën sallën e ballove të Donald Trump,

Një kompleks ushtarak “masiv” po ndërtohet nën sallën gjigante të vallëzimit në Krahun Lindor të Shtëpisë së Bardhë, duke zëvendësuar bunkerin “kundër fundit të botës” të ndërtuar në vitet 1940 për të mbrojtur presidentët amerikanë nga sulmet e mundshme bërthamore.

Fryma krijuese e Donald Trump duket se nuk njeh kufij. I pakënaqur me prishjen e të paktën një të tretës së rezidencës ikonike në 1600 Pennsylvania Avenue për t’i hapur rrugë një salle vallëzimi me 999 vende, me vlerë 400 milionë dollarë, manjati ka njoftuar një projekt të ri arkitekturor.

Pentagoni, sipas Trump, po ndërton “një kompleks masiv ushtarak” dhe njëkohësisht po përforcon sallën e vallëzimit me xhama antiplumb dhe tavane rezistente ndaj dronëve. Këtë ai e deklaroi për gazetarët në bordin e Air Force One, pasi disa raportime mediatike dolën në dritë.

“Fatkeqësisht, jetojmë në një epokë ku kjo është një gjë pozitive”, u shpreh Trump, duke prezantuar edhe pamjet më të fundit të sallës së vallëzimit për mediat.

Plani për bunkerin bërthamor ishte menduar të mbahej sekret, por në Uashington ruajtja e sekretit për çështje që lidhen me Shtëpinë e Bardhë duket pothuajse e pamundur. Pas një artikulli të publikuar në fundjavë nga New York Times, që kritikonte projektimin dhe dizajnin e sallës, Trump vendosi të reagojë publikisht.

Një rol të rëndësishëm luajti edhe një padi e ngritur në dhjetor 2025 nga National Trust for Historic Preservation, e cila kërkonte pezullimin e ndërtimit deri në kryerjen e vlerësimeve të pavarura, analizave mjedisore dhe miratimit nga Kongresi. Vendimi i gjykatës pritet deri në fund të muajit.

“Salla e vallëzimit në thelb shërben si një mburojë për atë që po ndërtohet poshtë”, deklaroi Trump. “Xhamat janë jashtëzakonisht të trashë dhe antiplumb, ndërsa të gjitha dritaret janë të përforcuara me teknologji të avancuar.”

Nga të gjitha projektet e ndërmarra prej tij që nga rikthimi në pushtet – nga rinovimi i Zyrës Ovale dhe ambienteve të rezidencës, te rindërtimi i Sheshit Lafayette dhe modernizimi i Qendrës Kennedy – kjo sallë vallëzimi mbetet një nga më pak të pëlqyerat nga publiku amerikan.

Sipas sondazheve, 58% e qytetarëve janë kundër prishjes së Krahut Lindor për këtë projekt, ndërsa vetëm 25% janë pro. Mbi 35 mijë qytetarë kanë protestuar gjithashtu kundër tij.

Zbulimi i bunkerit e ka përshkallëzuar më tej debatin publik, me disa përdorues në rrjetet sociale që e krahasuan projektin me zgjerimin e Kancelarisë së porositur nga Adolf Hitleri në vitin 1935. Në atë kohë, arkitektët Paul Troost dhe Leonhard Gall ndërtuan një sallë të madhe vallëzimi, e cila në fakt shërbente si mbulesë për një bunker kundërajror të njohur si “Vorbunker”./Lajmi i Fundit

ME TE LEXUARAT