Kush janë 3 miqtë e Talo Çelës që do të ekstradohen sot nga Dubai dhe për çfarë akuzohen
Tre të shumëkërkuar nga SPAK do të ekstradohen sot nga Dubai drejt Shqipërisë. Ata akuzohen nga Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për përfshirjen në disa ngjarje të rënda kriminale dhe përkrahës të të shumëkërkuarit Talo Çela.
Bëhet fjalë për: Ervis Dakën, Maksim Koçin dhe Ado Xhika alias Elkier Cërriku alias Ado Cërriku.
GJKKO ka caktuar arrest me burg për Ervis Dakën, i cili akuzohet për disa vepra të rënda penale. Ndër to se ka informuar personat që kanë tentuar të vrasin 28-vjeçarin Kei Piku për të gjitha lëvizjet e tij, si dhe ka siguruar kushtet për vrasjen e Arjan Spahiut.
38-vjeçari gjithashtu akuzohet se ka strehuar, ka transportuar dhe i ka siguruar kushtet e nevojshme për jetesë, të shumëkërkuarit Talo Çela.
Sa i përket Maksim Koçit, akuzohet se ka marrë pjesë në vrasjet e Klevis Kapllanit dhe të një tjetër personi. Gjithashtu sipas SPAK akuzohet se ka siguruar kushtet për vrasjen edhe të dy personave të tjerë. Një tjetër akuzë ndaj tij është dhe se ka ndihmuar të fshihet Talo Çelën.
Ado Xhika nga ana tjetër akuzohet se ka ndihmuar për t’u fshehur për dy vite me radhë Talo Çelën.