Marrëdhënien me Metën e kam të mbyllur! Monika Kryemadhi: Kam kujtime shumë të këqija dhe...

Në një intervistë për Top News, Monika Kryemadhi ka folur për herë të parë pas ndarjes nga ish-bashkëshorti i saj, Ilir Meta, duke dhënë një pasqyrë të sinqertë të jetës së saj personale dhe marrëdhënies me fëmijët. Ajo ka theksuar se kapitulli i bashkëjetesës mes saj dhe Metës është mbyllur përfundimisht, dhe se tani fokusi i saj është te fëmijët dhe mirëqenia e tyre.
Për pyetjen se çfarë mendon aktualisht Ilir Meta, nëse po e ndjek intervistën, Kryemadhi është shprehur se kjo nuk është një shqetësim për të, pasi ajo është përqendruar tërësisht te roli i saj si nënë dhe te kujdesi për familjen. Sipas saj, ky është një moment për të pasur paqe dhe për të kaluar sa më mirë me fëmijët e saj, duke u përpjekur t’i sigurojë atyre një ambient të shëndetshëm emocionalisht.
“Kam kujtime shumë të mira dhe shumë të këqija. Marrëdhënien me Metën e kam të mbyllur. Kemi tre fëmijë, do të martojmë fëmijët, do t’i japim dorën njëri-tjetrit, do pimë një kafe, por bashkëjetesa ime me të ka përfunduar. I vetmi merak që kam është që fëmijët të mos shqetësohen dhe të mos mërziten. Ata e takojnë babain, i pyes si e kishit. Jemi në një proces gjyqësor dhe ai duhet të jetë i kthjellët dhe i shëndetshëm. Era është më emocionale dhe më familjare, djali është më komod, nuk kundërshton shumë, janë si njëri-tjetri. Unë kam një objektiv të vetëm: të zhbëj gjithë llumin që është hedhur mbi mua përmes gojës së Ilir Metës.
Ndonjëherë është i ftohtë, ndonjëherë i ngrohtë, ndonjëherë i axhituar. Kjo i rëndon fëmijët. Për të kujdesen nëna dhe motra e tij. Me motrat e Ilirit kemi pasur komunikim për të menaxhuar më mirë fëmijët. Me nënën e tij, pas operacionit, nuk kam pasur më kontakt. Me nusen e vëllait po, kemi marrëdhënie të mira”, tha ajo.
Kryemadhi foli edhe për jetën e fëmijëve të saj, duke u ndalur te djali Besari, për të cilin tha se ka një shoqe dhe se ajo nuk është aspak një nënë xheloze.
“Besari ka një shoqe, është vajzë e mirë. Kur është ajo te ne, shohim edhe më shumë Besarin. Unë e kam thënë gjithmonë, kush i do fëmijët e mi, unë i dua”, tha ajo.


